​Angazhimi i 85 inspektorëve, Kadriu: Shumica e inspektorëve të rinj me përvojë pune në AUV

​Angazhimi i 85 inspektorëve, Kadriu: Shumica e inspektorëve të rinj me përvojë pune në AUV

Angazhimin e 85 inspektorëve të rinj që kanë filluar punën dje në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës (AUV), një ditë pas shpalljes së rezultateve, e ka arsyetuar shefi i ri i kësaj Agjencie, Flamur Kadriu.

Ani se pati kritika nga aplikantët dhe shoqëria civile, Kadriu ka thënë për KP se angazhimi i tyre ka qenë mjaft i domosdoshëm për AUV-in, në situatën siç thotë ai më të vështirë kur janë shtuar rastet me COVID-19.

Kadriu thotë se shumica e inspektorëve të rinj, kanë përvojë pune në AUV.

“E mira është që sipas informatave të përafërta, një numër i madh i tyre janë inspektor që ne i kemi pasur të angazhuar në periudhën e kaluar, pra kanë punuar diku gjashtë muaj. Mirëpo, atyre iu ndërpre kontrata pasi iu kaloi afati i kontratës. Për neve është një ndihmesë e madhe, sepse një pjesë e tyre është me përvojë për punën që e kanë kryer para gjashtë muajve, tash vetëm janë duke vazhduar, që faktikisht edhe neve po na ndihmon për realizimin e punës së tyre më shpejt në terren”, tha ai.

Kadriu thotë se përzgjedhjen e tyre e ka bërë Ministria e Shëndetësisë, me një komision vlerësues.

“Përzgjedhjen nuk e kemi bërë ne. Konkursi ka qenë i shpallur nga Ministria e Shëndetësisë. Ne kemi bërë kërkesë për minimum, sa është numri minimal i inspektorëve që na nevojiten për të mbuluar terrenin në përgjithësi. Ministria e Shëndetësisë ka pasur një komision që ka vlerësuar aplikacionet dhe e mira që na erdhën neve më në fund, sepse ishim në një situatë jashtëzakonisht të vështirë për me mundur me zbatuar ndonjë masë”, tha Kadriu.

Me qëllim të zbatimit të masave antiCOVID-19, mbrëmë gjatë një inspektimi të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë(AUV) 538 inspektime të realizuara janë shqiptuar dy gjoba për dy qytetarë të Gjakovës, tri gjoba për tri biznese, një në Gjilan, një në Ferizaj dhe një Prizren.

Kadriu thekson se kjo agjenci ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të zbatimit të masave antiCOVID 19 ndaj të gjithë shkelësve.

“Agjencioni i ka pranuar 85 inspektor të rinj, të cilët do ta ndihmojnë luftimin sëmundjes dhe i kemi shpërndarë nëpër regjione. Kështu që nga mbrëmë ata kanë filluar veprimin nëpër terren. Kanë qenë prezentë në të gjitha komunat e Kosovës dhe kanë realizuar në ato kontrolle sipas vendimit të fundit të Qeverisë me masat e parapara.

Gjatë natës së kaluar kanë qenë 538 kontrolle gjatë vizitave në lokale të ndryshme të gastronomisë e kështu me radhë. Kanë qenë të shqiptuara dy gjoba për persona fizikë, ndërsa për persona juridikë janë shqiptuar tri gjoba dhe rastet e monitorimit diku 196.

Prej informatave që kemi nga koordinatorët e Zyrave regjionale, ka qenë një natë e qetë, pa probleme që tregon se ka një rritje të vetëbesimit edhe të operatorëve edhe të popullatës në përgjithësi për të respektuar masat në një situatë të vështirë dhe emergjente”, theksoi Kadriu.

Ndryshe, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë deri më tash ka pasur vetëm 11 inspektorë, të cilët njëkohësisht janë të angazhuar edhe për kontrollin e sigurisë ushqimore. Ndërsa atyre u janë bashkëngjitur edhe 85 inspektorë të terrenit.

Related Articles