Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim seminaristët e Seminarit të 39-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, në ndërtesën e Qeverisë, raporton Gazeta Enigma.
Studimi dhe njohja e gjuhës shqipe janë të domosdoshme për ta kuptuar popullin tonë e për ta mësuar historinë tonë, tha kryeministri Kurti në hapje të takimit me seminaristët.
“Shqiptarët janë kombi i gjuhës, mbase dhe më shumë se sa i flamurit dhe i simboleve të tjera. Më thellësisht dhe më gjerësisht janë kombi i gjuhës”, theksoi kryeministri.
Prandaj, vazhdoi ai, studimi i gjuhës shqipe është i domosdoshëm për ta kuptuar popullin tonë e për ta mësuar historinë tonë.
Roli i Seminarit dhe kontributi i studiuesve në promovimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, si vlera të çmuara të popullit tonë, u vlerësua lartë në takim.
Seminari u ka mbijetuar kohërave me të vështira në Kosovë dhe në Shqipëri. Edhe atëherë kur bashkëpunimi me vendet e tjera ka qenë pothuajse i pamundur, studiues nga Shqipëria dhe vendet e tjera janë mbledhur një herë në vit, që nga viti 1974 për Seminar. Falë kontakteve që janë vendosur dhe janë mbajtur përmes Seminarit, shumë studiues nga Kosova kanë zhvilluar vizita e kanë vendosur bashkëpunim me studiues në Kalabri, Çamëri, Anadolli e vende të tjera ku ka shqiptarë.
Kryeministri Kurti konfirmoi angazhimin e Qeverisë për studimet e shqipes dhe shkollën shqipe në vendet ku jeton mërgata shqiptare.
“Jemi në kohën kur kemi hartuar një program qeverisës që angazhohet edhe për shkollën shqipe në mërgatë, sepse besojmë që është i mundur integrimi pa asimilim i shqiptarëve në Evropë dhe në botë. E mësimi i gjuhës shqipe është çelësi i integrimit pa asimilim”, theksoi kryeministri.
Seminaristët dhe organizatorët u shprehën mirënjohës për takimin. Ata falënderuan kryeministrin dhe Qeverinë për mbështetjen e Seminarit dhe të studimeve albanologjike.