​Kurti takohet me shefen e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman

​Kurti takohet me shefen e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman

Kryeministri Albin Kurti, priti të marten në takim njoftues Nona Zicherman, shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë.

Në takimin e përbashkët me ministren e Arsimit Arbërie Nagavci dhe përfaqësuesit e UNICEF-it, u bisedua për koordinimin e afërt në një sërë projektesh e nismash të përbashkëta.

Kurti vlerësoi përkrahjen nga UNICEF dhe partnerët për vizionin afatgjatë që i mundëson Kosovës të jetë pjesë e përpjekjeve globale për arritjen e Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm.

Ai theksoi prioritetet e Qeverisë për shoqëri të barabartë, duke veçuar mbështetjen për lehona dhe shtesat për fëmijë, arsimin e lartë pa pagesë, investimet në çerdhe si dhe sistemin dual të arsimit.

“Kosova ka popullsinë më të re në Evropë me një moshë mesatare prej 29.5-vjeç dhe 31% e popullsisë së Kosovës është nga 0-18 vjeç, e që janë qytetarët më të cenueshëm. Prandaj fëmijët dhe të rinjtë qëndrojnë në qendër të gjithçka që parashikon Qeveria. Ne do të duhet të sigurohemi që këta të rinj dhe fëmijë të rriten në një mjedis të drejtë me të drejta dhe mundësi të barabarta, ku ata mund të përmbushin potencialin e tyre të plotë, pavarësisht nga gjinia, përkatësia etnike apo aftësitë”, tha Kurti.

Zicherman ndërkaq e përgëzoi Kurtin për punën e Qeverisë dhe nismat e saj, veçanërisht për shtesat për fëmijë, si mekanizëm efektiv për të reduktuar varfërinë te fëmijët.

Në këtë takim, ministrja Nagavci e njoftoi Zicherman se MASHTI ka ndarë buxhetin për punësimin e 100 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, dhe tashmë ka filluar programi i studimit për përgatitjen e 56 kandidatëve të parë. /Gazeta “Enigma”/

Related Articles