Presidentja Vjosa Osmani, në edicionin e 20-të të Forumit të Doha në Katar, ka folur për rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, duke përmendur sakrificat e popullit të saj, por edhe ndihmën e vendeve mike.
Ajo në fjalimin e saj shprehu gatishmërinë për rritjen e bashkëpunimit në sferën diplomatike, ekonomike, tregtare dhe kulturore.
“Rrugëtimi ynë nuk ka qenë i lehtë dhe suksesi ynë ka ardhur pas sakrificës së madhe”, tha Osmani duke shtuar se Serbia, nën regjimin e njeriut, i njohur si “kasapi i Ballkanit” Sllobodan Millosheviq, ka kryer krime të përgjakshme.
Osmani ka folur edhe për progresin e arritur në vend pas më shumë se dy dekada pas çlirimit nga Serbia.
“Ne sot kemi një ndër demokracitë më të avancuara në botë dhe jam e lumtur që jetoj me njerëzit që besojnë në vlerat e demokracisë”, tha ajo.
Osmani ka përmendur edhe strehimin e refugjatëve afganë në Kosovë, si dhe të atyre nga Ukraina.
Ndryshe, kjo ishte vizita e parë e Osmanit në Katar si presidente./Gazeta Enigma/