Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se janë të përkushtuar për ruajtjen e sigurisë publike.
Në konferencë për media bashkë me kryeministrin Albin Kurti, ministri tha se situata është e qetë.
“Aktualisht situata është e qetë dhe përkushtimi ynë është maksimal që të adresojmë çdo sfidë që mund të paraqitet. Si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi zotuar se do të angazhohemi për sundim të ligjit, ofrim të rendit dhe sigurisë për gjithë qytetarët e Kosovës, pa asnjë dallim. Sipas mandatit dhe kompetencat tona si MPB bashkë me Policinë e Kosovës jemi angazhuar që të gjitha veprimet tona me qëllim të luftimit të krimit, kontrabandës dhe çdo dukurie ilegale të ndërmerren pas veprimeve intensive”.
”Në këtë kuptim, asnjë aksion i Policisë së Kosovës nuk ka qenë asnjëherë i drejtuar në etni të caktuar, veçanërisht jo ndaj etnisë serbe, siç është propaganduar e po vazhdon akoma edhe tani. E vetmja përkatësi të cilën e kemi luftuar dhe po e luftojmë është ajo e krimit, kontrabandës dhe korrupsionit”, ka deklaruar Sveçla,
Ai ka përmendur edhe aksionet që janë organizuar në veri të vendit, me qëllim të luftimit të krimit, kontrabandës dhe korrupsionit.
“Krimi në katër komunat në veri të vendit ka qenë i zhvilluar dhe i mirëmbajtur ndër vite dhe si çdo kund tjetër e kemi luftuar edhe atje. Brenda periudhës mbi një vjeçare në veri të vendit janë organizuar 38 aksione policore, nga të cilat janë shkatërruar pesë laboratorë të substancave narkotike, pajisje në vlerë 300 mijë euro, laboratorë të prodhimit të kriptovalutave, janë sekuestruar mijëra produkte që po kontrabandoheshin”.
”Kemi mbyllur 11 rrugë ilegale që kanë mundësuar kontrabandën dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Natyrisht në këto aksione ka pasur rezistencë të grupeve kriminale të orkestruara nga Beogradi të cilët kanë sulmuar me armë e granate dore Policinë e Kosovës, me qëllim të pengimit dhe eliminimit të tyre”, ka shtuar Sveçla.