Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka quajtur datë të rëndësishme atë të sotmen, pasi janë bërë 10 vjet prej kur Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi e shpalli të pafajshëm.
Vendimi i Gjykatës së Hagës liroi nga të gjitha akuzat Haradinajn dhe dy ish-luftëtarë të tjerë të Ushtrisë̈ Çlirimtare të Kosovës, Lahi Ibrahimajn dhe Idriz Balajn.
Përmes një postimi në Facebook, i pari i AAK-së ka thënë se ky vendim ka vulosur pastërinë e “luftës tonë çlirimtare”.
“Edhe pse çlirimtar, luftëtar për liri në tokën time, më 17 nëntor 2004 jam ftuar për herë të parë për intervistim nga Gjykata e Hagës. Që nga ajo ditë e deri më 29 nëntor 2012 ka zgjatur ndjekja ligjore ndaj meje. Edhe pse në aktgjykimin e parë jam liruar si i pafajshëm, pas disa viteve jam ftuar për herë të dytë në rigjykim”, ka shkruar ai.
Tutje, Haradinaj ka thënë se lufta për pafajësinë e tij ka zgjatur po aq sa ajo për liri.
“Përfundimisht, sot para 10 viteve, mora aktvendimin e pafajësisë. Lufta për pafajësinë time zgjati po aq sa zgjati lufta për liri. Falënderoj gjithë ata që nuk humbën besimin në mua dhe në pafajësinë time, e mu gjenden pranë në të gjitha mënyrat!”, ka përfunduar ai.