Në vitin 1912, pikërisht më 4 dhjetor, Qeveria e parë shqiptare filloi punën nën kryesinë e Ismail Qemalit.
Qeveria e Përkohshme e Shqipërisë ishte qeveria e parë krijuar nga Kuvendi i Vlorës. Krijimi i saj u vendos nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës, i cili me kërkesë të Ismail Qemalit e caktoi vetë përbërjen e qeverisë. Ismail Qemali, veç detyrës së kryetarit të qeverisë, mbajti edhe atë të Ministrit të Jashtëm.
Kuvendi zgjodhi edhe Pleqësinë, që funksiononte si organ këshillues e mbikëqyrës i qeverisë. Shumë krahina u bashkuan me Qeverinë e Përkohshme të Vlorës duke e njohur atë si qeveri të të gjithë Shqipërisë. Qeveria arriti rezultate të rëndësishme në krijimin e aparatit shtetëror dhe në krijimin e një sistemi gjyqësor sipas modeleve evropiane.
Qeveria do të qëndronte në Vlorë deri në janar të vitit 1914, megjithëse me autoritet praktikisht vetëm brenda qytetit.
Këta ishin anëtarët e Kabinetit Qeveritar:
Ismail Qemali – Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm
Dom Nikoll Kaçorri – Zv.Kryeministër
Myfit bej Libohova – Ministër i Brendshëm
Gjeneral Mehmet Pashë Deralla – Ministër i Luftës
Abdi bej Toptani – Ministër i Financave
Dr. Petro Poga – Ministër i Drejtësisë dhe sistemit Gjyqësor
Dr. Luigj Gurakuqi – Ministër i Arsimit
Mit’hat Bej Frashëri – Ministër i Punëve Publike
Pandeli Cale – Ministër i Agrikulturës
Lef Nosi – Ministër i Post-Telegrafit.