111 qytetarë afganë erdhën sonte në Kosovë: Ja ku do të vendosën

111 qytetarë afganë erdhën sonte në Kosovë: Ja ku do të vendosën

111 shtetasit e parë nga Afganistani kanë arritur në orët e mbrëmjes në Kosovë, të cilët do të vendosen në ish-kampin e Bechtel Encha, pranë Bondstilit amerikan.


Kjo është bërë e ditur sonte nga ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla në një konferencë për media në aeroportin e Prishtinës, pas arritjes së grupit të parë të afganëve të larguar nga konflikti në Afganistan.

Grupi që arriti në Kosovë përmes Aeroportit “Adem Jashari” janë gra, fëmijë e pleq, familjarë te bashkëpunëtorëve të NATO-s në Afganistan. Ky është vetëm grupi i parë ndërkohë nesër pritet të arrijnë edhe afgan te tjerë, të cilët do të strehohen përkohësisht në Kosovë.

Ata u pritën nga presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ky i fundit bëri të ditur se të ardhurve nga Afganistani do t’u bëhet testi për COVID-19 dhe se do të aplikohet karantinimi për personat që dalin pozitivë.

“Numri i shtetasve që erdhën sonte në Kosovë janë 111. Në mesin e tyre kemi parë një numër të madh të fëmijëve, gra dhe pleq, të cilët janë familjarë të bashkëpunëtorëve të NATO-s në Afganistan. Do të vendosen në ish-kampin e Bechtel Enca dhe do të jenë vetëm grupi i parë i shtetasve afganë që do t’i strehojmë. Fluturimet e ardhshme priten të ndodhin qysh nesër. Kemi konfirmimet e radhës për aterrimet e ardhshme. Është çështje e organizimit të aleatëve tanë sa i takon nisjes së aeroplanëve të tyre për në Kosovë… Numri nuk është përcaktuar saktë, por nuk do të jetë i madh, i cili do të jetë i papërballueshëm për ne”, ka thënë Sveçla.

Ai ndërkaq ka folur edhe rreth ndihmës mjekësore që mund t’iu ofrohet refugjatëve afganë duke pasur parasysh gjendjen me pandeminë koronavirus.

“Në momentin që po flasim, tashmë ekipet tona mjekësore po bëjnë testimin për COVID-19 të këtyre refugjatëve dhe nëse kemi ndonjë rast që është me COVID-19 do të procedohet sipas protokolleve të shëndetësisë. Ne kemi përgatitur edhe hapësirat për karantinë. Kemi përgatitur edhe hapësira për vaksinim. Hapësirat janë te terminali i vjetër i Prishtinës dhe do të përcillen te lokacione të tjera”, ka thënë Sveçla.

Related Articles