15 vjet burgim, dënimi në Kosovë e falja presidenciale – Sinjali sjell ndryshimet që propozon PDK-ja

15 vjet burgim, dënimi në Kosovë e falja presidenciale – Sinjali sjell ndryshimet që propozon PDK-ja

Projektligji i dorëzuar nga PDK-ja në Kuvend parasheh ndryshime edhe sa i përket dënimeve të shqiptuara nga Dhomat e Specializuara, mënyrës së vuajtjes së tyre dhe mundësisë së faljes nga Presidenti i Kosovës.

Sipas projektligjit të sigurar nga Sinjali, dënimi maksimal që mund të shqiptohet nga Dhomat e Specializuara do të ishte 15 vjet burgim.

“Dhomat e Specializuara mund t’i shqiptojnë personit të dënuar dënim me burgim në kohëzgjatje jo më të gjatë se pesëmbëdhjetë (15) vjet, duke zbatuar parimin e ligjit më të favorshëm (lex mitior).” (Neni 15)

Projektligji parasheh gjithashtu që dënimet me burgim të shqiptuara nga Specialja të vuhet në institucionet korrektuese të Kosovës.

“Dënimi me burgim i shqiptuar nga Dhomat e Specializuara vuhet në institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës.” (Neni 16)

Institucioni konkret ku do të vuhej dënimi do të përcaktohej nga autoriteti kompetent i Kosovës, duke marrë parasysh kohëzgjatjen e dënimit, sigurinë dhe rrethanat individuale të personit të dënuar (Neni 16).

Një tjetër ndryshim i propozuar lidhet me faljen. Projektligji parasheh që personat e dënuar me aktgjykim të formës së prerë nga Dhomat e Specializuara të mund të jenë subjekt i faljes individuale nga Presidenti i Kosovës.

“Personat e dënuar me aktgjykim të formës së prerë nga Dhomat e Specializuara mund të jenë subjekt i faljes individuale nga Presidenti i Republikës së Kosovës.” (Neni 17)

Sipas projektligjit, për procedurën e faljes do të zbatoheshin kriteret dhe kushtet e përcaktuara në Ligjin për Faljen.

Nisma parasheh ndryshime edhe për personat e privuar nga liria në rastet që do të transferoheshin nga Specialja në Kosovë. Nëse një procedurë përfundon në Speciale për shkak të mungesës së juridiksionit, personi i paraburgosur do të transferohej në Kosovë, ndërsa pas mbërritjes do të duhej të paraqitej para gjyqtarit kompetent jo më vonë se 48 orë.

Gjykata në Kosovë do të shqyrtonte në mënyrë të pavarur ligjshmërinë dhe nevojën e vazhdimit të paraburgimit apo masave alternative, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës (Neni 10B).

Transferimi fizik i personit, sipas projektligjit, do të organizohej pa vonesë dhe synohet të realizohej jo më vonë se 15 ditë nga vendimi për transferim. Koha e kaluar në paraburgim në Dhomat e Specializuara do të llogaritej plotësisht sipas ligjit të Kosovës (Neni 10B).

Projektligji parasheh që masat për mbrojtjen e dëshmitarëve, viktimave dhe personave të mbrojtur të vazhdojnë edhe pas transferimit të rasteve në Kosovë. Identitetet, të dhënat personale dhe masat e sigurisë do t’u përcilleshin autoriteteve kompetente në Kosovë, të cilat do të mund t’i vazhdonin, ndryshonin ose zëvendësonin ato me vendim të arsyetuar (Neni 10C).

Ndryshim propozohet edhe në fushën e kontrollit institucional. Sipas projektligjit, Kuvendi mund të autorizojë një ose më shumë organizata ndërkombëtare të specializuara për monitorimin dhe mbikëqyrjen institucionale të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Monitorimi do të përfshinte, ndër të tjera, respektimin e Kushtetutës dhe ligjit, të drejtave dhe lirive themelore, standardeve të gjykimit të drejtë, pavarësisë dhe paanshmërisë, si dhe administrimit të drejtë dhe efektiv të drejtësisë (Neni 22).

Projektligji parasheh gjithashtu ndryshime në fushën e shqyrtimit kushtetues. Sipas tij, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese do të vendoste vetëm për referimet kushtetuese që burojnë nga vendimet, urdhrat dhe aktgjykimet e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ndërsa shqyrtimi kushtetues i këtij ligji dhe ndryshimeve të tij do t’i takonte Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në Prishtinë (Neni 23).

Related Articles