Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka publikuar raportin për situatën me zjarret në vend nga ora 14:00 deri në 20:00 më 9 gusht 2025, raporton Gazeta “Enigma”.
Sipas këtij raporti gjatë kësaj periudhe janë regjistruar gjithsej 40 vatra zjarri, prej të cilave 15 mbeten aktive, ndërsa 25 janë lokalizuar me sukses.
AME ka theksuar se situata më e rënduar është në fshatin Dumnicë të Komunës së Podujevës, ku është kërkuar asistencë nga njësitë tjera.
“Situata më e rënduar është regjistruar në fshatin Dumnicë të Komunës së Podujevës, ku është kërkuar asistencë nga njësi të tjera. Në këtë operacion janë angazhuar njësitë e Prishtinës, Vushtrrisë dhe Mitrovicës, ndërkohë që është bërë edhe kërkesë për ndërhyrje ajrore nga KFOR-i për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit,” thuhet në njoftim.
Tutje ata kanë njoftuar se “Menaxhimi i situatës po bëhet në koordinim të plotë me Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit. Agjencia u bën apel të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër në numrat emergjentë 112, 193 dhe 192. Agjencia shpreh mirënjohje për përkushtimin e palodhshëm të zjarrfikësve, mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe bashkëpunimin e qytetarëve”. /Gazeta Enigma/