Dënim me 25 vjet burgim i është caktuar të akuzuarit R.G., për vrasjen e gruas së tij më 21 dhjetor të vitit 2016.
Në seancën gjyqësore të mbajtur të hënën, gjyqtarja Fatime Dermaku, e cila është kryetare e trupit gjykues, ka njoftuar se të dyshuarit i është shqiptuar edhe dënimi për armëmbajtje pa leje.
Siç është raportuar, R.G., akuzohet se e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij M.G., i nxitur nga motive të ulëta të xhelozisë.
Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i akuzuari më 21 dhjetor 2016 në Prishtinë, në lagjen “Mati 1”, në mënyrë dinake e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën M.G.
Në aktakuzë thuhet se i njëjti ka qëlluar të ndjerën me dy plumba në pjesën e përparme të gjoksit ku njëri plumb e ka goditur në zemër.
Me këtë, i akuzuari po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Kurse, në dispozitivin e II të aktakuzës thuhet se me datën, kohën dhe vendin e njëjtë si në dispozitivin I të akuzës, i pandehuri Gashi në mënyrë dinake i afrohet mikut të tij, të dëmtuarit Xh.G. dhe me dashje që ta privojë nga jeta, ka shtënë me armën e njëjtë dy herë në drejtim të dëmtuarit – dëshmitarit Xh.H me ç’rast e qëllon dy herë me plumba në trup.
Me këtë, të njëjtit i kishte shkaktuar plagë të rënda trupore, të rrezikshme për jetën me ç’rast akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”.