Arrestohet polici boshnjak që ofendoi shqiptarët dhe nxiti urrejtje

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar të dielën se është arrestuar polici boshnjak, Safet Sajo Civovic, i cili me anë të një postimi kishte fyer popullin shqiptar dhe kishte nxitur urrejtje, raporton Gazeta “Enigma”.

“Isha i nderuar të vizitojë këtë mik të madh- Shefin në Dobrushë i cili u bëri ballë terroreve shqiptare. E mëshiroftë Zoti”, kishte shkruar ai në postimin e tij.

Polici boshnjak ishte  suspenduar nga puna dhe tashmë i arrestuar. Atij i ishte besuar uniforma e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, i cili punon në pikën kufitare Kullë.

Komunikata e plotë nga IPK:

Arrestohet një zyrtar policor me dyshimin për veprën penale “nxitje të përçarjes dhe mos durimit”

Prishtinë/Pejë, 30 maj 2021,

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë pranuar informacione nga Policia e Kosovës lidhur me shkrimet e publikuara në rrjete sociale nga zyrtari policor (S. C.) me detyrë në pikën kufitare “Kullë”.

Pas pranimit të informacioneve IPK ka filluar të ndërmarrë veprime hetimore dhe pas intervistimit të zyrtarit policor i njëjti është arrestuar dje në orët e mbrëmjes në Pejë.

Zyrtarit policor të dyshuar në këtë rast  i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me vendim të Prokurorisë Themelore në Pejë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale  “nxitja e përçarjes dhe mos durimit”.

 Hetuesit e IPK-së  në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit në Pejë, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast./Gazeta Enigma.

Related Articles