Inspektorë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë dënuar 28 biznese sot, për shkak të mosrespektimit të urdhrave nga kjo ministri për të mbrojtur punëtorët nga i nxehti ekstrem, njofton Gazeta Enigma.
Në një vendim të marrë dje, Ministria e Shëndetësisë ka ndaluar punën nga data 13 deri më 20 korrik për gratë shtatzëna, punën në rreze të diellit (siç është ajo e ndërtimtarisë) nga ora 11:00 deri në orën 17:00, si dhe ka shkurtuar në katër orë orarin e punës për punëtorët me sëmundje kronike.
Ky vendim nuk u respektua nga të paktën 28 biznese. Ndaj tyre u morën masa.
Megjithatë, MSh-ja tha se vendimi përgjithësisht po zbatohet.
“Ministria e Shëndetësisë njofton se janë marrë masa ndaj së paku 28 shkelësve të vendimit për kufizim të orarit të punës për shkak të temperaturave të larta. Këto masa janë ndërmarrë në bashkëpunim me Inspektoratin e Punës dhe organet tjera relevante, me qëllim që të ruhet shëndeti i qytetarëve”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
“Ju lutemi, për çdo shkelje që hasni lajmërohuni në numrat e Inspektoratit të Punës ose në faqen zyrtare të Ministrisë”, është thënë tutje në njoftim. /Gazeta Enigma