30 vjet nga themelimi i FFK-së, kryetari Agim Ademi vjen me mesazh

30 vjet nga themelimi i FFK-së, kryetari Agim Ademi vjen me mesazh

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi ka ardhur me një mesazh të gjatë për 30-vjetorin e themelimit të organizatës kryesore të futbollit në vend.

Sot bëhet 30 vjet kur Kosova u bë me Federatë të Futbollit dhe në atë kohë Agim Bytyqi u zgjodh si kryetari i parë i FFK-së, pas një mbledhje të mbajtur në shkollën fillore “Asim Vokshi” në Prishtinë.

Tani 30 vjet më vonë, të pavarësuar e përparuar në shumë aspekte, kryetari Agim Ademi ka ardhur me një mesazh në këtë ditë të shënuar.

Mesazhi i presidentit Ademi për 30-vjetorin e themelimit të Federatës së Futbollit të Kosovës

Futbolli në Kosovë ka një traditë mbi 100-vjeçare, por 20 gushti i vitit 1991 është data që është shkruar me shkronja të arta në historinë e futbollit tonë. Kjo datë shënon themelimin e Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës, në një kohë shumë të vështirë, kur vendi ynë gjendej nën kthetrat e okupatorit serb.

Sot, bëhen 30 vjet nga dita kur personalitete të shquara të futbollit dhe njerëz që kishin vizion e guxim vendosën që të themelojnë Federatën e Futbollit të Republikës së Kosovës, duke u ndarë përfundimisht nga sistemi i ish-shtetit federativ, i cili pas okupimit të vendit me forcat e regjimit serb, më nuk kishte asnjë kuptim për popullin e Kosovës.

Kuvendi themelues i Federatës u mbajt në Shkollën Fillore “Asim Vokshi” në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, teksa besimi për ta drejtuar këtë institucion me vota unanime të delegatëve iu dha punëtorit të dalluar sportiv nga Prizreni, Agim Bytyqi. Ai përveç se ishte vizionar, ishte edhe intelektual e guximtar për ta çuar përpara misionin e zhvillimit të futbollit të pavarur të Kosovës.

Kësisoj, krahas arsimit, edhe futbolli e sporti në përgjithësi u organizuan nën juridiksionin e Republikës së Kosovës, e cila funksiononte nën kushtet e okupimit. Organizimi i Federatës dhe i garave të futbollit në atë periudhë ishte sa i vështirë, po aq edhe i rrezikshëm për vetë pjesëmarrësit.

Ndonëse garat u zhvilluan larg objekteve të stadiumeve që ishin ndërtuar me djersën e popullit shqiptar, pasi ishin uzurpuar nga pushtuesi, prapëseprapë përndjekjet, maltretimet e rrahjet nga policia serbe për zyrtarët e federatës, trajnerët e futbollistët nuk ndaleshin. Por, dhuna e vazhdueshme nuk i zmbrapsi njerëzit e futbollit e të Republikës dhe nuk arriti të thyente dot vullnetin, dëshirën dhe misionin e tyre të shenjtë për ta vazhduar rrugën e mëvetësimit të futbollit.

Tani kur festojmë këtë jubile të rëndësishëm, padyshim se u japim respektin dhe nderin maksimal të gjithë atyre që ishin pjesë e kësaj periudhe të sakrificës dhe rezistencës ndaj okupatorit. Në këtë ditë të veçantë një falënderim i madh shkon për të gjithë ata që kontribuuan në themelimin e Federatës, krijimin e kushteve për organizimin e garave dhe për vazhdimësinë e tyre ndër vite.

Respekt dhe mirënjohje e përhershme për kryetarin e parë Agim Bytyqi dhe kryesinë e parë të FFK-së, por edhe punën e vazhdueshme të kryesive tjera në krye me kryetarin Rexhep Abdullahu, pastaj kryetarin Sabri Hashani dhe kryetarin Fadil Vokrri. Mirënjohje e falënderim të gjithë futbollistëve, trajnerëve, gjyqtarëve e punëtorëve sportivë që ishin pjesë e garave, donatorëve që mbajtën gjallë klubet, familjeve që tokat e tyre i dhuruan për t’i shndërruar në fusha futbolli dhe tifozëve që në çdo ndeshje ishin të pranishëm për t’i dhënë kurajë lojtarëve në fushë.

Secili që ka qenë pjesë e këtij institucioni e ka vendosur një gur të çmuar në themelin dhe forcimin e shtëpisë së futbollit, me të cilën sot mburremi dhe krenohemi të gjithë. Sot futbolli ynë është bërë storie suksesi në botë, andaj unë dhe KE jemi të vendosur dhe do të punojmë pareshtur, që FFK si institucion të vazhdojë progresin dhe të jetë gjithmonë një shtëpi e madhe dhe e suksesshme.

Me rastin e këtij jubileu të rëndësishëm sot nën patronatin e FFK-së do të mbahet akademia solemne në shkollën “Asim Vokshi”, në orën 11:00, e ku fjalën e rastit do ta mbajë ish-nënkryetari i kryesisë së parë të FFK-së, Gafurr Kabashi.

Mirënjohje e përjetshme të gjithë atyre që kontribuuan për futbollin e Kosovës!

Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi!

Me respekt,

Agim Ademi, president i FFK-së

Related Articles