Kryeminstri Albin Kurti ka shkruar për 4 korrikun, ditën e Pavarësisë së SHBA-së, duke bërë thirrje për të vazhduar me përpjekjet për të mbajtur gjallë “Frymën e ’76-ës”, njofton Gazeta Enigma.
“Prej vendvotimeve në mbarë botën, deri te fushëbetejat patriotike të Ukrainës plot guxim, le të vazhdojmë, gjithsecili, të bëjmë pjesën tonë në këtë përpjekje të përbashkët dhe të pafund: për ta mbajtur gjallë “Frymën e ’76-ës”, si për veten, ashtu edhe për brezat e ardhshëm”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook.
Ai tutje përmendi një dëshirë të fundit të Presidentit të 3-të të SHBA-së, Thomas Jefferson.
“Me 24 qershor 1826, Thomas Jefferson shprehu një dëshirë të fundit: që Deklarata e Pavarësisë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do ta frymëzonte edhe pjesën tjetër të botës që “t’i thyejë prangat” dhe “të pranojë bekimet dhe sigurinë e vetëqeverisjes”. Jefferson vdiq vetëm 10 ditë më vonë, më 4 korrik, në ditëlindjen e 50-të të vetë shtetit të cilin kishte ndihmuar ta themelonte”, shkroi Kurti.
“Gati 200 vjet pas vdekjes së Jefferson-it, ende punojmë palodhshëm për t’ia plotësuar dëshirën e fundit. Deklarata e Pavarësisë e Republikës së Kosovës, e shekullit XXI, përveçse ngjarje politike nga aspirata historike e popullit tonë, është frymëzuar prej të njëjtave ideale në të cilat u bazuan Jefferson dhe bashkëthemeluesit e tij në shekullin XVIII”, shtoi tutje i pari i Qeverisë.
“Gëzuar 4 Korrikun!”, përfundoi Kurti. /Gazeta Enigma