40 milionë për pagesën e rrymës në Veri – “Kurti s’di t’i thotë jo asnjë kërkese të Serbisë”

40 milionë për pagesën e rrymës në Veri – “Kurti s’di t’i thotë jo asnjë kërkese të Serbisë”

“Nuk ka alternativë faturimi dhe çdo cent i dhënë për veri do të regjistrohet si borxh, ne nuk jemi duke falur para”, kishte deklaruar më 1 qershor të këtij viti kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kur ishte pyetur për pagesën e rrymës për serbët e veriut.

Por, pas kaluar as tri muaj, kryeqeveritari kosovar ndryshoi mendje.

Ai vendosi që nga kuleta e Shtetit t’i ndajë edhe 40 milionë euro të tjera për pagesën e rrymës për katër komunat veriore me shumicë serbe.

Në anën tjetër, opozita vlerëson se “Kurti nuk di t’i thotë jo asnjë kërkesë të Serbisë” dhe se “po dëmtohet buxheti i Kosovës si rezultat i moszbatimit të marrëveshjes për energjinë me Serbinë”.

Ndërsa ekzekutivi, 40 milionët i arsyetoi duke njoftuar se po ndahen në mënyrë që të vazhdohet marrëveshja me ENTSO-E, Rrjetin Evropian të Transmisionit dhe Tregut, dhe të respektohen obligimet që dalin nga kjo marrëveshje.

“Ndërmarrja KOST po kalon nëpër vështirshi financiare për shkak të obligimeve që ka ndaj ENTSO-së në mënyrë që të vazhdohet të jemi në të njëjtin bllok rregullues dhe të zbatohet marrëveshja që ka qenë për dy vite dhe tani është koha që të vazhdohet. Kërkesa ka qenë për mbështetej të ndërmarrjeve publike, aprovohet ndarja e 40 milion eurove”, tha ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Në anën tjetër, deputetët e opozitës e kanë kritikuar këtë vendim të Qeverisë.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, për Enigmën tha se vendimet e tilla e paraqesin Kurtin si një person që nuk di t’i thotë jo asnjë kërkese nga ana e Serbisë.

“Ky vendim e ka bërë fakt dhe ka krijuar një praktik të qëndrueshme që Qeveria Kurti të mos i thotë jo asnjë kërkesë të serbëve. Kjo është keq dhe duhet të ndalet, sepse vërtet nuk po vërehet sovraniteti dhe pushteti i shtetit të Kosovës në asnjë dimension, pra po kemi ulje dhe pazotësi përballë një pakice serbe të cilët po kërkojnë shumë të drejta që nuk ju takojnë”, u shpreh Lekaj.

Lekaj, i bëri thirrje Kurti që të gjejë një zgjidhje sa më të shpejtë që të mos paguajnë qytetarët e Kosovës energjinë elektrike për veriun.

“I bëjë thirrje Kryeministrit Kurti që të gjejë modulin e zgjidhjes që qytetari i Kosovës të mos paguajë energji elektrike për veriun. Në këtë temë, Qeveria e ka mbështetjen e plotë të AAK-së”, përfundoi Lekaj

Në një linjë me Lekajn është edhe deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

Ky i fundit thotë për Enigmën se “një vendim i tillë po e dëmton mjaft shumë buxhetin e Kosovës dhe e gjithë kjo është rezultat i moszbatimit të marrëveshjes për energjinë me Serbinë”.

“Qeveria ka marrë një vendim për ndarjen e 40 milionëve KOSTT-it në mënyrë që KOSTT-i të mbulojë humbjet në pjesën veriore, kjo është rata e dytë brenda këtij viti që Qeveria e ka mbuluar nga dividenta e KOSTT-it, kurse tani po ndan direkt nga buxheti i konsoliduar i vendit, humbje të cilat po e dëmtojnë shumë buxhetin si rezultat i mos zbatimit të marrëveshjes dhe mos shtrirjes së sovranitetit energjetik në territorin e Kosovës”, theksoi Shala.

Pse nuk realizohet marrëveshja për energjinë me Serbinë?

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka folur rreth moszbatimit të marrëveshjes së energjisë mes Kosovës dhe Serbisë.

Rizvanolli u shpreh se kjo marrëveshje është konstruktive si dhe afati kohor i zbatimit të marrëveshjes për energjinë është deri me 1 tetor.

“Çfarë mund të them është se Kosova, Qeveria, ZRRRE, KOST janë duke bërë përpjekje për realizmin e udhërrëfyesit për energjinë. Ngecjet janë në anën tjetër, te Elektroseveri, por edhe ndikimi i Serbisë në këtë kompani. E kemi bërë të qartë te partnerët ndërkombëtar këtë dhe se marrëveshja duhet të realizohet sa më parë që qytetarët në Veri të fillojnë të paguajnë faturat e energjisë”, ka thënë Rizvanolli.

Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për energjinë në kuadër të dialogut që zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, derisa kjo marrëveshje nuk po respektohet nga Serbia.

Sipas kësaj ujdie, faturat e energjisë elektrike të shpenzuar, fatura që ata nuk i paguajë që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë Besnik Bislimi, pati thënë pas arritjes së pajtimit se “kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës”. /GazetaEnigma/

Related Articles