Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës ka zbuluar një plantacion me rreth 500 bimë të llojit Cannabis Sativa në fshatin Zhegoc të rajonit të Gjilanit.
Zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi, ka konfirmuar se bimët narkotike ishin të mbjella në katër sera dhe ndodheshin në një fazë të avancuar të zhvillimit
Gjatë aksionit, forcat policore kanë gjetur dhe konfiskuar një armë të gjatë si dhe dëshmi të tjera që lidhen me rastin. Si rezultat, tre persona të dyshuar janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Operacioni është zhvilluar në koordinim të ngushtë me AKI-në, e cila ka ndihmuar në identifikimin e lokacionit dhe të personave të dyshuar për përfshirje në këtë veprimtari kriminale.