Më 3 maj të vitit 2016, Kosova u bë anëtarja e 55-të e Federatës Europiane të Futbollit (UEFA).
Votimi i fshehtë i mbajtur në Budapest, gjatë kongresit të organizatës, tregoi që për Kosovën votuan 28 pro, 24 kundër, derisa dy vota ishin shpallur të pavlefshme.
Pranimi i Kosovës në UEFA i kishte hapur rrugë aplikimit për anëtarësimin në shtëpinë e futbollit botëror, FIFA, i cili erdhi 10 ditë më vonë me 13 maj.
Njëri prej më meritorëve për pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA ishte ish-kryetari i FFK-së dhe legjenda e futbollit kosovar, Fadil Vokrri.
Vokrri më 3 maj në Budapest, pas pranimit të Kosovës në UEFA, kishte thënë se ky është moment historik për vendin tonë.
“Ky është një moment historik dhe unë premtoj se do t’i premtoj vlerat e futbollit. Duam t’i bëjmë njerëzit bashkë brenda dhe jashtë fushës,”, kishtë thënë Fadil Vokrri.
Pranimin në UEFA ia panë hairin klubet Superligës së Kosovës në futboll, pasi mund të garojnë për pjesëmarrje në dy garat më të mëdha europiane siç janë Liga e Kampionëve dhe Liga e Europës dhe prej sezonit të ardhshëm në Ligën e Konferencës.
UEFA ka vendosur që nga sezoni i ardhshëm Kosova do të përfaqësohet në garat europiane të futbollit me katër skuadra. eri para këtij vendimi, futbollin e Kosovës e kanë përfaqësuar vetëm tre ekipe, kampioni, nënkampioni dhe fituesi i Kupës së Kosovës, ndërsa me vendimin e fundit, futbolli kosovar do të dërgojë në garat evropiane edhe skuadrën e pozitës së tretë në renditjen e Superligës.
‘’Edicioni i ri i garave në futbollin kosovar, do të dërgojë në garat evropiane kampionin, nënkampionin, skuadrën e pozitës së tretë në renditjen e Superligës si dhe fituesin e Kupës së Kosovës. Ky është një lajm shumë i mirë për futbollin tonë, e për të cilin jemi angazhuar shumë me kërkesa të vazhdueshme në UEFA’’, thuhet në njoftimin e të parit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Klube si Gjilani, Trepça ’89, Prishtina, Drita, Feronikeli dhe Llapi kanë marrë pjesë në kualifikimet për këto gara europiane. Kurse në vitin e ardhshëm pritet të marrin pjesë skuadra si Ballkani që është afër të shpallet kampion, Gjilani, Drita dhe Llapi që pozicionohet në vendin e katërt dhe është në finale të Kupës së Kosovës.
Kombëtarja e Kosovës në kualifikimet për kampionatin botërorë “Rusia 2018”, luajti në Grupin I, me kombëtare si Islanda, Kroacia, Ukraina, Turqia dhe Finlanda.
Pas 10 ndeshjeve, “Dardanët”, u pozicionuan në vendin e fundit me vetëm një pikë nga 10 ndeshje.
Pas paraqitjeve të zbehta në kualifikimet për kampionatin botërorë “Rusia 2018”, Kosova u këndell në kuadër të Ligës së Kombeve.
Të udhëhequr nga trajneri zvicerian Bernard Challandes dhe duke i luajtur ndeshjet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Kosova pas gjashtë ndeshjeve u pozicionua në vendin e parë të Grupit 3, të Liges D, me 14 pikë, duke i shënuar katër fitore dy barazime dhe asnjë humbje.
Triumfi në Grupin 3, të Ligës D, në Ligën e Kombeve, sjelli entuziazëm te mbështetësit e Kosovës, të cilët e mbushnin plotë stadiumin “Fadil Vokrri”.
Kosova bëri paraqitje të mira për kualifikimet për “Euro 2020” ( i cili është shtyrë për vitin 2021), me kombëtare të mëdha si Anglia, Republika Çeke e Mali i Zi.
Në Prishtinë, Mali i Zi dhe Çekia u gjunjëzuan nga lojtarët e Kosovës të cilët kishin mbështetje të parezërve nga “Dardanët” në shkallët e stadiumit “Fadil Vokrri”.
Bernard Challandes me djelmoshat e tij nuk ia arriti të kualifikohet për kampionatin europian “Euro 2020”, pas tetë ndeshjeve të zhvilluara në Grupin A, u pozicionua në vendin e tretë me 11 pikë.
“Dardanët” nuk arritën që të kualifikohen në gjysmëfinale të Ligës D, pasi u mposhten nga Mqedonia e Veriut, duke e shuar ëndrrën e Kosovarëve që të luajnë në kampionatin Europian “Euro 2020”.
Kosova i përfundoi kualifikimet e Botërorit “Katari 2022” në mënyrën më të keqe të mundshme, pasi u pozicionua në vendin e fundit me vetëm pesë pikë, me dy barazime, një fitore dhe pesë humbje.
Humbja befasuese ndaj Gjerogjisë i kushtoi me shkarkim trajnerit Bernard Challandes. Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi bëri të ditur se e kishte shkarkuar nga posti i trajnerit, Challandesin më 10 tetor të vitit 2021.
Më 23 shkurt të vitit 2022 Kosova e prezantoi trajnerin e ri, e ai ishte francezi Alain Giresse i cili e mori drejtimin e Kombëtares “Dardane”.
Giresse e nisi aventurën e tij me miqësoren ndaj Burkina Fasos duke dhuruar spektakël në stadiumin “Fadil Vokrri” pasi ia shënuan pesë gola në kajmak.
Paraqitje të mirë “Dardanët” patën edhe ndaj Zvicrës pasi barazuan me rezultat 1-1, në një ndeshje ku tifozët e Kosovës dhuruan spektakël në Cyrih.
Kosova do ta nisë aventurën e saj në Ligën e Kombëve më 2 qershor ndaj Qipros. “Dardanët” bëjnë pjesë në grupin 2 të Ligës C së bashku me Greqinë, Irlandën e Veriut dhe Qipron.
I pari i FFK-së ka shkruar me shumë emocionë në 6 vjetorin e pranimit të Kosovës në UEFA.
“Si sot, 6 vjet më parë, për Kosovën ishte një ditë feste me përplot emocione. Federata e Futbollit e Kosovës në Kongresin e mbajtur në Budapest arriti ta thyejë izolimin e padrejtë 25-vjeçar, duke u bërë anëtare me të drejta të plota e UEFA-s. Kësisoj, u përmbush ëndrra e kahmotshme dhe u shpërblye sakrifica e shumë gjeneratave të futbollistëve të Kosovës. Nga ajo ditë futbollit të Kosovës iu hapën dyert e prezantimit në garat ndërkombëtare dhe filloi epoka e zhvillimit. Sot, gjashtë vite më vonë, futbolli ynë ka shënuar përparime të dukshme dhe vazhdon pakthyshëm rrugëtimin e tij drejt sukseseve të reja, përmirësimit të infrastrukturës, masovizimit, edukimit të kuadrove të reja, reformave të garave dhe rritjes së cilësisë”, ka shkruar i pari i FFK-së, Agim Ademi./GAZETA ENIGMA/