Rreth 1 milion € i ka shpenzuar Kuvendi i Republikës së Kosovës për pagat dhe shtesat e asistentëve të deputetëve, të cilët janë angazhuar nga 5 maji i vitit 2023.
Janë hiç më pak se 85 deputetë që kanë të angazhuar asistentë, përderisa disa nga këta të fundit punë kryesore e kanë kontrollimin e e-mailave të shefave (deputetëve).
Portali Front Online javë më parë i ka dërguar Kuvendit të Kosovës kërkesë për qasje në dokumente publike, ku ka kërkuar listën zyrtare të asistentëve të angazhuar nga ligjvënësit kosovar dhe pagat e tyre.
Angazhimi i asistentëve bazohet në Rregulloren Nr. 08/Rr-004 për Shtesa mbi Pagën bazë për Deputetë dhe për klasifikimin e Pagës për Stafin Mbështetës Politik të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Kjo është lista e deputetëve që kanë asistentë
Mirlinda Tishukaj deputete nga radhët e LVV-së angazhimin e asistentëve për secilin deputetë e konsideron tejet ndihmesë, pasi sipas saj, kanë angazhime të mëdha që nuk mund t’ia dalin vet.
“Unë kam asistent dhe është ndihmesë e madhe sepse kem pika shumë, ta zëmë 20-30 pika, ka raporte shumë. Qytetarët nuk mund ta dinë sa shumë punë ka që nuk shihet në publik, por për mua angazhimi i tyre është shumë ndihmesë e madhe”, thotë ajo.
Tishkuaj thotë se asistentja e saj i bënë përmbledhje të raporteve, pasi ajo nuk ka mundësi me i përcjellë të gjitha vetë, për shkak të numrit të madh të raporteve dhe angazhime të mëdha.
“Asistentja më ndihmon në shumë aspekte, psh tash kam raporte të auditorit, pasi jam në Komision për menaxhim të financave publike, mu më intereson kur publikohet një raport qoftë pasqyra vjetore financiare, qoftë raporti i performancës, tash unë nuk mundem të gjitha raportet me i shiku, me ditë gjendjen qysh ka qenë më parë por në këtë rast asistentja ma bënë një përmbledhje të shkurtër. Në të gjitha sferat ajo më bënë një përmbledhje të shkurtë e cila është ndihmesë sepse unë nuk kom mundësi me i ditë detajet e secilës punë”, tha Tishukaj.
Tishukaj thotë se ndihmesë e madhe ka nga asistentja, ku në mesin e të tjerave poashtu ia rikujton takimet, vendin dhe orën pasi thotë se ka agjendë shumë të ngarkuar.
“Kujdeset poashtu edhe për agjendën time, psh unë kam ftesa prej institucioneve lokale apo nacionale, prej organizatave joqeveritare dhe ajo një ditë përpara m’i rikujton se në këtë vend ki me shku, në kaq ora për shkak se kom agjendë shumë të ngarkuarë”, thotë deputetja e VV-së.
Në fund, Tishkuaj thotë se nuk i është lejuar ta marrë asistenten në seanca për shkak se nuk ka hapësirë brenda Kuvendit.
Fitim Uka, deputet i Lëvizjes Vetvendosje thotë se ka asistent personal, sikurse çdo deputet tjetër I Kuvendit të Kosovës. Ai thotë se asistenti personal e ndihmon në pjesën e hulumtimit apo çka do që kërkohet.
“Po dihet ajo që kemi asistent personal secili prej neve, kush ka dashtë me marrë. Roli i tyre është ndihma që ofrojnë në pjesën e hulumtimit, asistimit apo çkado që kërkohet prej deputetit”, tha ai.
Uka thotë se nuk e ka idenë nëse asistentët kanë ndonjë benefit tjetër përpos pagës që marrin prej buxhetit të Kuvendit.
Arben Gashi nga LDK-ja thotë se asistenti i tij ka mjaftë punë. Sipas tij, ai monitoron grupet, komisionet dhe përpos pagës nuk ka ndonjë benefit tjetër.
“Po, si anëtar i Grupit kam asistent personal. I monitoron grupet, i monitoron komisionet, i monitoron deputetët në Komision, ka mjaftë punë. Sa e di unë nuk ka asnjë benefit tjetër përpos pagës”, tha Gashi për Front Online.
Ndonëse ju takon me rregullore secilit deputet të Kuvendit të Kosovës të angazhojnë asistent personal, për Valentina Bunjakun e LDK-së kjo është temë e “lodhët”. Ajo nuk pranoi të përgjigjet për të treguar rolin dhe detyrat e asistentit të tij/saj.
“Çka është kjo pyetje? Nuk kam mundësi me u prononcu se jam shumë e zënë se tema shumë e lodhët”, ishte përgjigja e saj për Front Online.
Sipas listës së Kuvendit, asistente e deputetes Bunjaku është Goneta Agushi.
Për deputeten e LDK-së, Vlora Dumoshi asistenti/ja i-e saj ndihmon në të gjitha aspektet, kudo që ajo ka nevojë.
“Na ndihmon në të gjitha aspektet, në mbledhjen e materialeve. Na ndihmon aty ku ka nevojë. Mandej janë me neve gjithë kohën, nëpër komisione parlamentare”, tha deputetja Dumoshi.
Mirëpo kur pyetet se kush është i angazhuari i saj apo se si erdhi deri tek ajo pozitë ajo tha se ndodhet në spital dhe nuk ka mundësi të përgjigjet. “Jam në spital për momentin, nëse dëshironi ua lëshoj kamerën”.
Ariana Musliu Shoshi nga PDK-ja thotë se deputeti nuk ka as zyre, as kompjuter, as veturë e as shofer, por të vetmin që ka, sipas saj, është asistenti.
“E kam asistenten prej majit të vitit të kaluar ku edhe ka kaluar vendimi në kryesi të Kuvendit. Deputeti nuk ka as zyre, as kompjuter, as këshilltar, as veturë e as shofer. Pra, me fjalë tjera, më pak ka mundësi konkrete për punë sesa një drejtor i administratës. Të vetmin që ka është asistenti”, tha deputetja e PDK-së.
Musliu thekson se asistenti i ndihmon në punët profesionale e teknike, në gjithçka që ajo nuk arrinë me përfundu. “Më ndihmon me çështje profesionale dhe teknik. Më ndihmon çkado që nuk arrij unë të përfundoj. Dhe nuk ka asnjë benefit përpos pagës”, tha Shoshi-Musliu
Ferat Shala, deputet nga radhët e PDK-së thotë se angazhimi i asistentëve personal të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës është nismë e Vetvendosjes dhe kanë bërë punësim të një numri të madh të tyre.
“Asistentët e deputetëve që janë nxjerrë me rregulloren e re e cila praktikisht është në funksion si rezultat i nismës së deputetëve të Lëvizjes Vetvendosje dhe konsideroj që është bërë një numër i madh I të punësuarve. Në këtë relacion i ka konvenuar shumë mazhorancës sepse mbi 50 asistentë janë të punësuar direkt për deputetët e shumicës”, tha deputeti i PDK-së.
Shala shpjegon se kryetarët e Komisioneve nuk kanë të drejtë sipas rregullores të kenë asistentë personal.
“Janë dy kategori të asistentëve, ata që janë me rregullore të përhershme që janë vetëm kryetar të komisioneve dhe asistentët personal që janë marrë tash së fundi. Rregullorja e re nuk ka paraparë asistentë personal për kryetarët e Komisioneve sepse janë llogaritë që e kanë nga një ngaherë dhe tash nuk është e definuar”, tha ai.
Shala thotë se nëse asistentët janë të përgatitur dhe u jepet hapësirë atëherë ka mjaftë punë për ta.
“Konsideroj që nëse asistentët janë të përgatitur, të gatshëm për të punuar dhe nëse deputetët kanë vullnet për t’i dhënë mundësi, hapësirë atëherë punë ka për ta. Por, se sa I shfrytëojnë, në kuptimin pozitiv, njerëzor dhe intelektual nuk e di”, tha Shala.
Xhavit Haliti nga PDK-ja thotë se ka asistentë personal. Mirëpo kur pyetet se cili është roli I asistentit dhe se çfarë detyre ka Haliti thotë se “asistenti është asistent, çka të ka nevojë na ndihmon”, tha ai.
“Aiiii hajgare po bëni me mua a? Për çka është kjo pyetje?”, tha Haliti, duke mos pranuar të prononcohet tutje.
Time Kadrijaj, deputete nga AAK ka poashtu asistent personal të angazhuar siç i takon secilit deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Kadrijaj deklaron se asistenti/ja përkujdeset për agjendën e saj, duke i siguruar materialet e agjendat e komisioneve dhe të seancave plenare, poashtu ia kontrollon emailet zyrtare.
Deputetja Kadrijaj thotë se postimet, shkrimet dhe fjalimet i bënë vet.
“Asistentët kujdesen për agjendën e deputetit, i siguron materialet, agjendat e komisioneve, të seancave plenare, kontrollon email-in zyrtar, ftesat që na bëhen , përndryshe punën tjetër unë si deputete e bëjë vet, shkrimet i bëjë vet, fjalimet i bëjë, pra kjo është”, tha ajo.
Kadrijaj tregon se asistentja e saj ka qenë e angazhuar në grupin parlamentar të AAK-së, dhe sipas saj nuk kanë angazhuar ndonjë familjarë.
“Grupi parlamentar, para se me pasë atë sistem për asistentë personal ka angazhuar njerëz të paritsë që janë përkujdesur psh për agjendat e deputetëve. Unë asistentë personal e kam marrë një prej asistenteve që e ka pasur grupi parlamentar dmth nuk kemi dalë për me marrë familjarë, nuk kemi dalë me kërkur një asistentë por e kemi marrë si obligim ata që kanë qenë të angazhuar vetëm kanë kaluar si staf që kanë qenë i grupit parlamentar i kemi shpërndarë nëpër deputetë”, tha Kadrijaj.
Ajo për fund tregoi se asistenten nuk e merr pas vete në angazhime jashtë vendit dhe se ajo punon nga zyrat e grupit parlamentar të AAK-së ku përpos pagës nga Kuvendi nuk kanë asnjë benfit tjetër.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje thotë për “Front Online” se deputetëve të cilët janë kryetarë të Komisioneve nuk ju takon angazhimi i asistentëve personal.
“Unë nuk kam asistent personal sepse me rregullore të re të Kuvendit, kryetarët e Komisioneve nuk kanë të drejtë për asisten. Në këtë rast,unë që jam kryetare e Komisionit për të drejtat e Njeriut nuk mund të angazhojë një të tillë. Pra, vetëm deputetët të cilët nuk janë kryetar të ndonjë Komisioni mund të kenë asistentë”, tha ajo.
Balje tregoi se ka pasur asistent/e para miratimit të rregullores e cila ua ndalon atyre si kryetar të Komisioneve për një të tillë. “Unë më herët kam pasur më herët mirëpo pas votimit të rregullore së fundit nuk mund të kem më”, tha ajo.
Erxhan Galushi, deputet në Kuvend të Kosovës thotë për “Front Online” se ka asistentë personal, që i lejohet sikurse çdo deputeti tjetër.
Galushi tregon se ai i ndihmon në agjendën e tij, e njofton për grupet punuese dhe ia rikujton aktivitetet që është i angazhuar.
“Secilit deputetë të Kuvendit të Kosovës i takon një asistent personal me ç’rast edhe unë kam një të tillë. Ai e përcjellë agjendën time lidhur me punën e deputetit që e kam, më njofton lidhur me grupet punuese që i kam, punojmë bashkë. Ai më njofton apo rikujton për çdo aktivitet që e kam dhe më ndihmon lidhur me to”, tha Galushi.
Poashtu ai thotë se përpos pagës, asistenti i tij nuk ka asnjë benefit tjetër. “Ai paguhet nga buxheti i Kuvendit të Kosovës, dhe nuk merr asnjë benefit tjetër”, tha Galushi. /Gazeta Enigma