Elizabeth Gowing, këshilltarja e re e kryeministrit Kurti për çështjet e komuniteteve, ka thënë se arsimimi dhe punësimi i komuniteteve janë prioritetet kryesore të saj në këtë pozitë.
Gowing nga Anglia ka 15 vjet që jeton në Kosovë. Qe disa vjet është edhe shtetase e Kosovës. Gowing në Kosovë ka qenë e angazhuar në fushat e arsimit, shëndetësisë dhe mirëqenies sociale. Ka përkthyer edhe disa libra nga shqipja.
Gowing e ka quajtur nder emërimin e saj këshilltare e kryeministrit.
“Kurrë s’kam menduar. Është nder. Kam qenë në Kosovë tash për 15 vjet dhe jam bërë qytetare para tre vitesh. Kam kërkuar rrugë të kontribuoj. Ka qenë deri tash përmes shoqërisë civile e tash kam mundësi të tjera. Shpresoj me shumë punë mund të arrijmë diçka”, ka thënë ajo.
Gowing ka theksuar se me angazhimin e deritashëm në arsim dhe me organizata ndërkombëtare në Kosovë, ka kuptuar nevojat dhe brengat në vend.
“Kam qenë aktive si aktiviste dhe kam pa se ka mundësi për sukses e ndryshime. E tash edhe brenda kabinetit kam mundësi tjera. Kemi një plan veprimi. Shpresoj të realizohet për pesë vjetët e ardhshëm”.
“Deri tash kam parë shumë strategji që kanë mbetur në tavolinë. Kam dëshirë që tash në konsultim me komunitetet, shoqërinë civile, përfaqësues të komuniteteve e donatorë të ndryshëm dhe bashkëpunim të ngushtë me zyrën për komunitete të niset nga çështjet kryesore, si arsimi e punësimi. Punësimi e arsimi cilësor janë prioritet për të gjithë dhe besoj se me këto mund të bëhet e ardhme më e mirë”, ka thënë ajo.
Në një vend demokratik si Kosova, Gowing ka thënë se s’duhet të ketë vend për praktikë diskriminuese ndaj komuniteteve si në shkollim ashtu edhe në punësim./Gazeta “Enigma”/