Sot dhe nesër në Tiranë zhvillohet takimi i radhës i Ballkanit të Hapur, me praninë e tre liderëve, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, raporton Gazeta “Enigma”.
Mësohet se 3 liderët do të zyrtarizojnë iniciativën që synon lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbime dhe kapitaleve duke nënshkruar 5 marrëveshje.
Ekipeve të 3 vendeve do t’i bashkohet dhe komisioneri për zgjerim i BE-së, Oliver Varhely online, drejtori i CEFTA-s, Emir Gjikiq, si dhe Majlinda Bregu si sekretare e përgjithshme e Këshillit i bashkëpunimit rajonal.
Ditën e martë, pasdite do të ketë edhe një konference për shtyp të kryeministrit Edi Rama, presidentit serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Takimi i sotëm do të shoqërohet me protesta përpara kryeministrisë kundër nismës “Open Ballkan”. Ishte ish-kryeministri Sali Berisha që njoftoi dy ditë më parë këtë protestë në mbrojtje të interesit kombëtar.
Në lidhje me këtë vizitë ka reaguar edhe media serbe “Novost”, sipas së cilës ‘ekstremistët shqiptarë’ me ndihmën e tre politikanëve shqiptarë po përgatiten për një protestë kundër presidentit serb Aleksandar Vuçiq, kur të mbërrijë në Tiranë. Media serbe shkruan se sipas burimeve të saj, organizatorë të protestës janë Sait Dollapi, ish-sekretar organizativ i Partisë Demokratike (PD), Agron Kuliçaj dhe Sali Lushaj, ish truprojat e Sali Berishës.
“Berisha ka kontaktuar personalisht me Ramush Haradinajn për të siguruar praninë e së paku 100 personave nga Kosova në këtë protestë”, pretendohet se ka thënë një burim i medias serbe.
Gjithashtu thuhet se protestën e ka përkrahur edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. /Gazeta Enigma.