Gjykata refuzon 7 aplikacione të cilët u paraqiten si viktima të UÇK-së

Gjykata refuzon 7 aplikacione të cilët u paraqiten si viktima të UÇK-së

Shtatë personave që u paraqitën në Speciale si viktima të UÇK-së u janë refuzuar aplikacionet nga gjyqtari i Procedurës Paraprake. Të njëjtit kishin aplikuar në Zyrën për Pjesëmarrjen e Viktimave në rastin e Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit.

Ndërkaq gjyqtari paraprak u ka pranuar aplikacione nëntë personave të tjerë.

Gjykatësi francez i Procedurës Paraprake, Nicollas Guillou ka lëshuar një sërë urdhërash që ndërlidhen me aplikacionet  16 personave aplikues në Zyrën për Pjesëmarrjen e Viktimave që funksionon në kuadër të Gjykatës Speciale.

Kësisoj,  janë refuzuar aplikacionet e personave me pseudonimet: Aplikanti 06/06, Aplikanti 08/06,  Aplikanti 09/06, Aplikanti 10/06, Aplikanti 11/06, Aplikanti 13/06 dhe Aplikanti  14/06. Të njëjtat aplikacione, nga gjyqtari paraprak janë cilësuar si “të papranueshme” për arsye të përcaktuara ligjore të cilat Guillou i ka cekur në vendimin e tij.

Në specifikat e aplikantëve  të cilat i kishte nënvizuar Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave, shihet se katër prej shtatë personave që u janë refuzuar aplikacionet janë shqiptarë.

Aplikanti Viktima-06/06 të cilit i është refuzuar aplikimi është i përkatësisë etnike shqiptare dhe pretendon se është qëlluar me armë zjarri  më 1997 nga UÇK-ja duke pësuar dëmtim fizik dhe mendor si pasojë. Aplikanti është aplikanti i vetëm në këtë raport që nuk ishte rekomanduar për pranim si viktima pjesëmarrëse (Grupi B).

Aplikantët Viktima-09/06, Viktima-10/06 dhe Viktima-11/06 janë shqiptarë  dhe pretendojnë të jenë viktima indirekte, anëtarë të së njëjtës familje, të cilëve burri / babai u ndalua nga UÇK-ja brenda periudhës së padisë në territor të Kosovës. Familja u informua për arrestimin e tij, por rrethanat e tij, zhdukja dhe fati i tij mbetet i panjohur. Ankuesit pretendojnë se kanë vuajtur dëmtimin mendor. Ata nuk kishin paraqitur ndonjë dokumentacion mbështetës për dëmin.

Aplikantët e tjerë të cilëve u janë refuzuar aplikimet i përkasin  komunitetit serb dhe kanë pretendime të ndryshme mbi dëmin që ata thonë se kanë pësuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Përveç të lartëcekurve, gjyqtari i Procedurës Paraprake ka kërkuar informacione shtesë për aplikantin me pseudonimin “Aplikanti 12/06”. Në të njëjtën kohë, deri në marrjen e informacioneve shtesë ai ka shtyer vendimin për personin në fjalë, shkruan tutje lajmi.net.

Sidoqoftë, nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake janë pranuar nëntë aplikacione tjera: Aplikanti 01/06, 02/06, 03/06, 04/06, 07/06, 16/06, 17/06, 18/06 dhe 19/06.

Për të njëjtit, gjyqtari i Procedurës Paraprake ka kërkuar masa mbrojtëse, të cilat përfshijnë anonimitetin e tyre të plotë nga publiku dhe palët e përfshira në proces. Aplikacionet e tyre do të qëndrojnë në formë strikte konfidenciale dhe “ex parte”.  Gjithashtu të njëjtit janë mbledhur në një grup nga gjyqtari paraprak.

Ndryshe, Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave në Gjykim, ka bërë ndarjen e veçorive të aplikantëve, duke dhënë detaje edhe për shtetet ku ata jetojnë.

 Në këtë formë, është bërë e ditur se nëntë nga aplikantët jetojnë në Serbi, tre në diasporë(në vende të ndryshme të botës), teksa pesë jetojnë në Kosovë, prej të cilëve një është folës i gjuhës serbe.

Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi e Kadri Veseli janë që nga 5 nëntori në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Related Articles