Policia në Prishtinë ka arrestuar tre persona nën dyshimet për marrje me prostitucion dhe ofrim të lokaleve për prostitucion, raporton Gazeta “Enigma”.
Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se të dyshuarit janë arrestuar pasditen e së martës, ndërkaq dyshohen për veprat penale “Mundësim apo Detyrim në Prostitucion”, “Ofrim i lokaleve për prostitucion” dhe “Bashkëkryerje”.
“Policia e Kosovës, në këtë rast drejtoria për hetimin e trafikimit me qenie njerëzore-njësia kompetente, më datën 21.12.2021 rreth orës 17:35 pas një hetimi të bërë në koordinim me prokurorin e rastit, kanë arrestuar tre persona (një i gjinisë mashkullore dhe dy të gjinisë femërore), të cilët dyshohet se janë përfshirë në veprat penale “Mundësim apo Detyrim në Prostitucion” “Ofrim i lokaleve për prostitucion” “Bashkëkryerje“”, ka bërë të ditur policia.
Policia ka kontrolluar lokali i cili gjendet në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë, ku si prova materiale janë konfiskuar katër telefona.
Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Njësitet kompetente kanë vazhduar realizimin e detyrave ku kanë kontrolluar lokalin i cili gjendej në Rr. Muharrem Fejza në Prishtinë dhe si prova materiale janë konfiskuar pajisje elektronike, katër (4) telefona mobil. Personat e dyshuar, janë shoqëruar në stacion policor dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit të rastit iu është caktuar masa e ndalimi për 48 orë”, ka njoftuar policia. / Gazeta Enigma.