Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka paralajmëruar veprime ligjore ndaj kryetarit të PSD-së Dardan Molliqaj, i cili deklaroi të shtunen se rënia e blloqeve A3 dhe A5 është bërë në mënyrë të qëllimshme.
KEK tutje ka shtuar se “më qëllim të informimit të drejtë të opinionit të gjerë publik, KEK kishte njoftuar me kohë se këto dy njesi (A3 dhe A5) që ishin në operim në atë kohë, kishin rënë nga sistemi si pasojë problemeve të shkaktuara në rrjet nga faktorë jashtë KEK-ut”.
Sipas KEK, blloqet A3 dhe A5 kishin rënë nga sistemi si pasojë problemeve të shkaktuara në rrjet nga faktorë jashtë KEK-ut.
Lidhur me këtë KEK deklaron se ishte identifikur një problem teknik.
Postimi i polotë:
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se kanë informacione nga burimet brenda Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), se rënia e blloqeve A3 dhe A5 është bërë qëllimisht.
Molliqaj në një konferencë për media ka deklaruar se ka dyshime që kjo prishje është shkaktuar nga KEDS-i.
“Në bazë të burimeve tona brena KEK-ut janë duke u zhvilluar tri problematika të theksuara që e rëndojnë edhe më tutje sistemin e energjisë në Kosovë. E para tashmë ka ndodhur. Sipas burimeve tona 10 ditë më parë ka pasur rënie të Bllokut A3 dhe A5, kishte mungesë të shtuar të energjisë elektrike. Sipas asaj që ne kemi informacione dhe që kërkojmë hetim të organeve përgjegjëse dhe të ekspertëve të fushave, rënia e Bllokut A3 dhe A5 brenda ditës duket që ka qenë e qëllimshme dhe e shkaktuar nga KEDS-i”, ka thënë ai.
Tutje, Molliqaj tha se dyshojnë që KEDS-i këtë veprim e ka bërë në bashkëpunim me menaxhmentin e ri të KEK-ut dhe Qeverinë e Kosovës.
Por, deklaratat e Molliqajt u mohuan edhe nga zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, i cili tha se me këtë punë po merret zyra ligjore e KEDS.
“Me pretendimet e tij është duke u marrë zyra jonë ligjore. Është konstatim absurd. Do të sqarohet kjo çështje në sistemin e drejtësisë”, ka thënë Buzhala të shtunen në një konferencë për media.
Pas deklaratës së Buzhalës reagoi vetë Molliqaj në profilin e tij në Facebook.
Sipas tij, Buzhala vetëm sa e shton dyshimin lidhur me deklarimet e tij se KEDS ka ndikuar në rënien e blloqeve A3 dhe A5.
”Reagimi i z. Buzhala, vetëm sa shton dyshimin. Në vend se menaxhmenti i ri KEK-ut dhe KEDS-it të jenë transparente, t’i lënë vend hetimit, si dhe organet hetuese të drejtësisë të nisin punën një orë e më parë, kanë zgjedhur sulmin.”, ka shkruar Molliqaj ndër të tjera në Facebook.
Kujtojmë se prej ditësh vendi është duke u përballur me reduktime të energjisë elektrike.
Në shumë zona të vendit reduktimet po zgjasin më shumë se dy orë, e për këtë çështje Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli ka inkurajuar qytetarët që të raportojnë në email adresën [email protected].
Gjatë ditës së sotme Rizvanolli, ka paralajmëruar dërgimin e një dosje në Policinë e Kosovës me rastet e pranuara nga qytetarët kur energjia elektrike po ju ndalet më shumë se dy orë.
Ministrja ka thënë se plani i reduktimeve i cili parasheh 8 orë furnizim me energji elektrike dhe 2 orë pa furnizim, duhet të implementohet në mënyrë të barabartë, si dhe barra duhet të shpërndahet në mënyrë të barabartë tek të gjithë konsumatorët.
Prandaj, ajo thotë se “në këtë dosje janë të përfshira edhe disa foto të cilat janë dërguar nga qytetarë ku vërehet heqja e disa siguresa nga trafot e rrymës, si dhe dyshimet nga ana e qytetarëve në lidhje me heqjen e qëllimshme të një faze në disa vende duke e zvogëluar ngarkesën e rrjedhimisht duke e bërë ngrohjen në disa vende jo funksionale”./Gazeta Enigma/