Organizatorja e protestës për reduktime: KEDS-i s’po i përmbahet kontratës, t’i kthehet shtetit

Organizatorja e protestës për reduktime: KEDS-i s’po i përmbahet kontratës, t’i kthehet shtetit

Liridona Sijarinja, njëra nga organizatorët e protestës së sotme përballë selisë së KEDS-it, kundër reduktimeve të energjisë elektrike që kanë ndodhur ditëve të fundit në vend, ka thënë se kjo protestë është revoltë ndaj reduktimeve që sipas saj, po tentohet që t’u faturohet qytetarëve.

Sijarinja tha protesta e sotme i ka tri kërkesa kryesore, ku tha se kërkojnë rrymë 24 orë në shtatë ditë të javës, shkarkimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe rikthimin e KEDS-it në pronësi të shtetit.

“Kjo protestë i ka tri kërkesa kryesore që ndërlidhen me atë që duam rrymë 24/7 që është e paraparë edhe me kontratën e KEDS-it, kontratë që KEDS-i nuk po i përmbahet dhe s’po jep llogari për atë se çka është duke ndodhur”.

“Në anën tjetër i kemi dy kërkesa për Qeverinë e Kosovës, ku e para është që të mbajë përgjegjësi për këtë krizë dhe të ketë një qasje më korrekte ndaj krizës për shkak se ne kemi parë që deklaratat e fundit të qeverisë po janë të atilla që po tentojnë që ta fajësojnë qytetarin për këtë krizë dhe ne jemi të vetëdijshëm se rryma në këto kushte nuk po përdoret për luks, por po përdoret për shërbime esenciale dhe nuk mundet që qeveria të thotë se ne po e përdorim rrymën për komoditet”, ka thënë Sijarinja, njofton Klankosova.tv.

Tutje, ajo tha se deklaratat e Rizvanollit, që sipas saj, mundohet që fajin t’ua lë qytetarëve, janë skandaloze dhe ofenduese.

“Kërkesa tjetër, e që është edhe kërkesë fundamentale e kësaj protestë është se ne po kërkojmë që KEDS-i t’i kalohet në pronësi shtetit. Ne e mbrojmë qëndrimin që procesi i privatizimit të KEDS-it ka qenë thellësisht i padrejtë dhe si i tillë e ka dëmtuar sistemin elektroenergjetik në Kosovë”, është shprehur Sijarinja.

Ajo foli edhe mbi numrin e pjesëmarrësve në protestë, ku tha se nuk janë të kënaqur.

“Numri nuk është i kënaqshëm, pasi ne kemi pritur shumë më shumë qytetarë pasi po e shohim se kriza është kombëtare dhe si e tillë po na afekton secilin prej nesh”, tha ajo.

Kujtojmë se protestë për të njëjtat arsye, dhe me të njëjtat kërkesa do të mbahet edhe përpara Qeverisë së Kosovës.

Related Articles