Vetëm dy doza vaksinimi nuk mund të mbrojnë nga varianti Omicron, prandaj në vend po bëhet thirrje për t’u vaksinuar edhe me dozën e tretë apo atë përforcuese.
Deri tani numri i të vaksinuarve me dozën e parë 98,547, ndërsa numri i të vaksinuarve me të dy dozat 78,2697.
Por ka disa javë që në vend ka nisur të jepet doza e tretë dhe ajo përforcuese e vaksinës antiCOVID-19.
Numri i dozave të treta të administruara 2,093, ndërsa numri i dozave përforcuese të administruara 9,855.
Ndryshe, një ditë më parë infektologu Hamdi Ramadani tha se varianti Omicron bashkë me gripin sezonal mund të rëndojë shumë situatën epidemiologjikë në vend vetëm brenda pak javësh.
Ramadani ka thënë se paraqitja e këtij varianti të virusit ishte e pashmangshme në Kosovë, duke qenë se është përhapur tashmë në gjithë botën.
Ai ka bërë thirrje që qytetarët të marrin dozën e tretë të vaksinës antiCOVID, për tu mbrojtur nga Omicroni.
“Situata rëndohet nëse nuk merren masa nga organet kompetente që masat të jenë të zbatueshme detyrimisht, të jenë obliguese. Ajo që është e rëndësishme është edhe vaksinimi. Vetëm me dy doza vaksinimi nuk mund të mbrojë nga Omicroni. Në vendin tonë kemi fare pak qytetarë që e kanë bërë dozën e tretë ose atë përforcuese të vaksinës antiCOVID, edhe kjo e bën që të rëndohet situata epidemiologjike”, u shpreh infektologu Ramadani.
Infektologu Ramadani thotë se tash e tutje mund të ketë shumë më shumë raste me variantin Omicron dhe nuk përjashtohet mundësia që të rëndohet situata.
“Duke marrë parasysh edhe ardhja e madhe e qytetarëve nga diaspora, tash kur Omicroni është mbizotërues, koncentrimi i madh në vende, në lokale bashkë me gripin sezonal, janë të gjithë kontribuues që për një të ardhshme prej afërsisht katër javësh, në vendin tonë mund të paraqitet një valë e re me infeksion, Omicron dhe Delta po ashtu ende është i pranishëm”, tha Ramadani.