Policia e Shqipërisë në operacionin e të enjtes ka sekuestruar një sasi prej 119 kilogramë kokainë brenda një kampioni të mbushur me banane.
Në një njoftim për mediat, thuhet se në pranga ranë edhe tre persona. H.S., 63 vjeç dhe G.K., 31 vjeç, banues në Tiranë, drejtues të automjeteve të firmës. M.M., 34 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një firme import-eksporti me vendet e Amerikës Latine.
Ndalimi i tyre erdhi si rezultat i operacionit të koduar “Romanat”.
Nga i njëjti burim tregohet se efektivë të policisë morën informacion se disa persona ende të paidentifikuar kanë ndaluar në Romanat të Durrësit, një kamion që transportonte një kontejner të ngarkuar me banane nga porti i Durrësit, për një magazinë në Vaqarr.
Mësohet se si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe veprimeve hetimore të koordinuara u bë e mundur gjetja e kontejnerit të ngarkuar me banane. Gjatë kontrollit në brendësi të tij, shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 119 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Policia thotë se nga veprimet e para hetimore rezultoi se kontejneri ka kaluar tranzit në një port në Itali, ku autoritetet ligjzbatuese italiane kanë konstatuar mungesën e plumçes dhe për këtë arsye ata kanë vendosur të ushtrojnë një kontroll duke evidentuar një mungesë të disa arkave me banane.
Pas evidentimit të kësaj mungese, policia italiane ka vendosur të riplumbosë kontejnerin, duke e shoqëruar me një procesverbal përkatës. Më pas ky kontejner ka mbërritur në portin e Durrësit dhe pas veprimeve të zhdoganimit dhe kontrollit në skaner ka rezultuar i pastër dhe ka dalë nga porti, me destinacion magazinat e firmës në periferi të qytetit të Tiranës.
Kanë mjaftuar vetëm pak kilometra, ku përgjatë rrugës nacionale Durrës-Tiranë, në vendin e quajtur Romanat, kamioni që transportonte kontejnerin është ndaluar nga disa persona ende të paidentifikuar, të cilët për disa minuta kanë ushtruar kontroll në kamion dhe në kontejnerin me banane, duke u larguar më pas me shpejtësi pas kontrollit të tij.
Një ngjarje e tillë ka shqetësuar përfaqësuesit e firmës importuese të bananeve të cilët kanë vendosur të njoftojnë menjëherë Policinë e Shtetit.
Kjo e fundit, në bashkëpunim me homologët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, mësohet se po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, transmeton TCH, përcjellë Gazeta “Enigma”.