Pritet shtrëngim i masave antiCOVID, Sogojeva: Pa u konsulutu me ne, nuk pranojmë asnjë vendim

Pritet shtrëngim i masave antiCOVID, Sogojeva: Pa u konsulutu me ne, nuk pranojmë asnjë vendim

Të mërkurën, ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, në një prononcim për media, tregoi se si janë duke shqyrtuar mundësinë e ashpërsimit të masave, për shkak të përhapjes së variantit Omicron.

Pas mbledhjes së komitetit për menaxhimin e pandemisë, Latifi ka thënë se as Kosova nuk pritet t’i shpëtojë ndonjë vale të re infektimi.

“Është shumë e mundshme se do të përballemi me një valë tjetër si të gjitha vendet e tjera. Një element inkurajues është se Omicroni nuk është aq i rrezikshëm si formë, krahasuar me format e tjera të mëparshme. Pavarësisht kësaj, ne duhet t’i marrim të gjitha masat që të kemi kujdes”, ka thënë Latifi.

Rifat Latifi, ministër i Shëndetësisë

Ai ka bërë apel që të mbahet maska e po ashtu të vaksinohen të gjithë ata që nuk janë vaksinuar. Ndërsa ka thënë se shtrëngimi i masave do të varet edhe nga situata epidemiologjike.

Në lidhje me këtë në një deklaratë për Gazetën “Enigma”, kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, ka deklaruar se masat e reja duhet ta kenë parasysh jo vetëm shëndetin e qytetarit, por edhe atë ekonomik.

“Ne e kemi thënë gjithmonë kur është në pyetje shëndeti ne e kuptojmë gjërat. Por, gjithmonë duke e ruajtur edhe shëndetin ekonomik, prandaj nëse një vendim pa u konsulutu me neve asnjëherë nuk e pranoj, asnjë vendim nuk e pranojmë pa u konsultu me neve, pavarësisht edhe i mirë nëse është, sepse jemi marrë vesh që të konsultohemi të gjejmë mesin duke e ruajtur edhe shëndetin edhe shëndetin ekonomik.

Sogojeva: Shtetit të Kosovës nuk i nevojitet bankrotimi

“Nuk na vyn me shku në bankrotim, prandaj jemi për atë që të mos merren vendime paushallë pa u konsultua me neve”, është shprehur Sogojeva .

Ndërsa, ka shtuar se do të kundërshtojnë çfarëdo vendimi që do të ndërmerret e që nuk është i mirë.

“Nëse del një vendim dhe ne e shohim që nuk është i mirë atëherë mblidhemi dhe nuk përjashtohet me reagua ashpër ndaj atyre vendimeve, nuk e di se çka do të del por nuk përjashtohet mundësia derisa nuk ka arsye”, ka theksuar ai.

Hysen Sogojeva, kryetar i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës

E të enjten ka reaguar Asociacioni i Komunave të Kosovës, duke kërkuar që të mos injorohen në lidhje me këtë temë.

Përmes një njoftimi në Facebook, AKK-ja ka thënë se Qeveria nuk e ftoi Asociacionin si anëtar të Komitetit anti-COVID-19.

“Kjo tregon se AKK-ja u përjashtua edhe një herë nga ky komitet, i cili nga komunat cilësohet si mekanizëm shumë i rëndësishëm në luftën për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Komunat e Republikës së Kosovës edhe një herë ftojnë Qeverinë e Kosovës të bashkëpunojë ngushtë dhe sinqertë, sepse numri i rasteve me COVID-19 është në rritje dhe një injorim i tillë i komunave është i pajustifikueshëm. Komunat janë të qytetarëve të saj dhe e kanë kryetarin që është zgjedhur me votë të drejtpërdrejte, prandaj në asnjë mënyrë nuk bën të injorohen si të tilla. Jeta zhvillohet në komuna”, thuhet në reagimin e AKK-së.

Në 24 orët e fundit në Kosovë nuk është regjistruar asnjë rast i vdekjes nga COVID-19, ndërsa janë shëruar vetëm 20 pacientë. Kurse, janë vaksinuar 4120 qytetarë./Gazeta “Enigma”/

Related Articles