Si pasojë përhapjes së varianteve të reja të Coronavirusit në Kosovë mund të ketë ngadalësim sa i përket aktiviteteve ekonomike, kështu ka thënë në një intervistë, kryetari i Odës Amerikane në Kosovë (OEAK) Arian Zeka.
Megjithatë, ai beson që deri në fund të vitit të ardhshëm mund të ketë një stabilizim të çmimeve në tregun vendor dhe atë ndërkombëtar.
“Si pasojë e varianteve të reja të pandemisë Covid-19 mund të kemi një ngadalësim për shkak të kufizimit të aktiviteteve ekonomike. Duket që edhe këto variante e reja tashmë ndikojnë më pak edhe në aspektin e hospitalizimit”.
“Besoj që as masat nuk do të jenë aq rigoroze siç kanë qenë mars të vitit 2020. Megjithatë besoj që deri në fund të vitit të ardhshëm ne do të arrijmë një kthim në periudhën e para pandemisë. Megjithatë pres të ketë një stabilizim të çmimeve edhe në tregun ndërkombëtar edhe në ato vendore”.
Sipas tij, borxhi i jashtëm mund të konsiderohet si ndër elementeve që duhet të vihet në përdorim nga institucionet për të ndikuar në zhvillimi e rimëkëmbje.
“Borxhi i jashtëm mund të konsiderohet si njëra prej elementeve që duhet të vihet në përdorim nga ana e shtetit për të ndikuar në zhvillim edhe në rimëkëmbje. Kosova ka një normë të ulët të borxhit publik, por ajo çka duhet të ketë parasysh Qeveria është që borxhin publik të mos e rrisë për projekte që mund të mos ndikojnë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik”.
“Do të ishte gabim që për mbulim të shpenzimeve të kategorive sociale ose për rritje të pagave qeveria të hynte në borxh dhe të rriste borxhin e brendshëm sepse krijon barrë për gjeneratat e ardhshme. Qeveria mund të rrisë borxhin për projekte të rëndësisë strategjike për energji dhe projekte të tjera infrastrukturore”, tha Zeka.
Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila tha se ka rritje të të hyrave, menaxhim të mirëfilltë të pandemisë dhe rritje të kredibilitetit të institucioneve.
Ajo shtoi se Qeveria ka filluar zbatimin e programit me një buxheti të jashtëzakonshëm për vitit 2022, i cili është 2.7 miliardë euro.
Sipas saj, synim i ekzekutivit për vitin 2022 është rritja e investimeve nga jashtë, raporton EO.
“Vetë fakti se kemi rritje të të hyrave kemi rritje ekonomike si asnjë vend tjetër në rajon dhe poashtu kemi menaxhim të mirëfilltë të pandemisë dhe rritje të kredibilitetit të institucioneve. Të gjitha parametrat tregojnë gatishmërinë e Kosovës që të jetë nikoqire edhe e investimeve nga jashtë”.
“Strategjia e Qeverisë lidhet me nivelin e punës së drejtpërdrejtë në krijimin e mundësive për investime nga diaspora të cilët janë prezent dhe natyrisht për të gjithë investitorët tjerë të jashtëm për të cilët shpeshherë burokracia rendi dhe ligji kanë qenë pengesa”.
“Duke shkuar gradualisht në përmisimin e këtyre parametrave shohim se me rritjen aktuale të rritjes ekonomike dhe me progresin në aspektin demokratik Kosova në vitin 2022 mund të ketë një vit të suksesit të veçantë i cili do të shënohet edhe në investimet e jashtme”.
“Është buxheti më i madh që kemi pasur 2.7 miliardë euro në të cilën ka filluar zbatimi i programit të Qeverisë Kurti duke i dhënë fokus programeve sociale tek investimi në kopshtet tek rritja e standardit të cilësisë në shkolla, rregullimi dhe menaxhimi i problemeve të grumbulluara siç ishte rasti me shpronësime me investime në infrastrukturë. Brenda 3 viteve të ardhshme Kosova do të shënojë progres të dukshëm në raport me atë se çfarë kishim një vit më parë”, tha Kusari-Lila.
E njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj theksoi se Kosova ka sfida të mëdha, duke shtuar se përderisa nuk ka investime, nuk mund të flitet për zhvillim ekonomik.
“Tani për tani Kosova ka sfida të mëdha. Një që është imediate që të ngritët cilësia dhe niveli i prodhimit që duhet të mbulojë tregu vendor që konsumatori më shumë të konsumojë prodhim vendor dhe të përgatisim produkte të atij niveli që të eksportojmë sepse ekonomia e vendit tonë po varet nga Dogana”.
“Kjo Qeveri krejt planifikimin buxhetor po e llogaritë në nivel të doganës duke rritur importin. Është jetike për Kosovën që të krijojmë kulturë të prodhimit që të kemi me çka të krenohemi. Rritja e importit është e dëmshme për nivelin ekonomik sepse investitorët nga jashtë duhet të kenë mundësi të investojnë në Kosovë sepse përderisa nuk ki investime në treg nuk mund të flasim për zhvillim ekonomik”, tha Kadriaj.