Kryeministri shqiptar, Edi Rama, nisi sikurse kishte paralajmëruar në Facebook bashkëbisedimin live me demokratët pas protestës së dhunshme të zhvilluar një ditë më parë në selinë e PD-së.
Duke e konsideruar si ngjarje ekstreme të pandodhur kurrë më parë, Rama theksoi se kjo jo vetëm që dobëson kundërshtarin, por është një goditje për institucionet demokratike në vend.
“Sot është një komunikim shumë i veçantë që i adresohet demokratëve, njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, prindër, familjarë shqiptarë që për një mijë e një arsye i përkasin asaj pjese të kampit politik që identifikohet me PD prej 30 vitesh”
Ndodhia e së shtunës, sipas tij ishte shumë e rëndë për demokratët por edhe për të gjithë shqiptarët dhe Shqipërinë.
“3-4 miq të huaj më kanë marrë të më pyesin të habitur; a është e vërtetë që është sulmuar selia e opozitës nga mbështetësit e saj se lajmi mori dhenë një lajm absurd, krejt befasues sa i rëndë aq edhe qesharak që një vend demokratik sulmohet me dhunë selia e partisë së opozitës nga vetë mbështetësit e saj. Diçka e pandodhur kurrë në historinë botës demokratike, diçka ekstreme që shkon përtej çdo logjike dhe sigurisht shumëkush mund të mendojë që për mua është e mirëseardhur, por jo”.
Tutje Rama ka potencuar se portesta e së shtunës nuk dëmton vetëm PD-në por gjithë vendin.
“E dobëson kundërshtarin politik por godet vendin shoqërinë dhe ngrehinë e kulturës politike që për të gjitha arsyet që dimë përbën një problem kjo kulturë që dje ka marrë një goditje të tmerrshme. Kjo shkon përtej dobësimit të kundërshtarit politik, që nuk dëmton vetëm PD, por ngrehinën institucionale të këtij vendi, institucionin e opozitës dhe të gjithë kornizën institucionale të vendit”.
Ai tha se kjo është përgjegjësi e “dy personazheve që janë pa vizion ardhmërie, pa projekt politik përveç akuzave se kush nga të dy është shërbëtori im”, shkruan A2 CNN, përcjellë Gazeta “Enigma”.
“Por ajo që përbën të vërtetën është që këta të dy janë e njëjta mbetje e ndarë përgjysmë, një mbetje e pariciklueshme në funksion të së ardhmes. Ndërmora këtë hap që të flas me demokratët dhe nuk janë këta të dy, në sytë e mi jo si kundërshtar, as si kryetar i shumicës qeverisëse, por si dikush që ka ndjekur historinë politike të këtij vendi këta të dy janë njëri i ndarë në dy pasqyra. Historia e zhvillimeve të PD është e të dyve së bashku për sa kohë që i dyti është futur në skenë nga i pari si hija e tij. Për mua sot është nevoja për paqe e urtësi në këtë moment delikat për ngrehinën e institucionit demokrat. Dje shfaqje mesjetare”, ka theksuar ai./Gazeta “Enigma”/