Siç duket problemeve financiare tek klubi i Feronikelit po i vjen fundi. Drejtori i klubit, Artan Berisha, zbuloi se janë interesuar disa biznismenë si donatorë.
“Për momentin janë duke u zhvilluar disa takime me donatorë të ndryshëm për me pa mundësitë me gjetë zgjidhje. Ka qenë një takim të hënën. Ka interesim nga biznismenë por ende janë në fazën e diskutimeve” – tha Berisha.
Në vitet e fundit, klubi i Niklit ka qenë një nga klubet më të organizuar në Kosovë, ku ka fituar dhe tituj të kampionit dhe trofe të tjerë. Por, problemet në organizim këtë vit, reflektuan edhe tek futbollistët dhe rezultatet.
‘Industrialistët’ qysh para fillimit të edicionit u përballën me probleme të shumta, duke filluar nga bllokimi i merkatos nga UEFA, për shkak të problemit me financa me një nga ish-futbollistët.
Pas përfundimit të stinorit vjeshtor, Feronikeli gjendet në pozitën e fundit në tabelën e Superligës, me vetëm 11 pikë të grumbulluara.
Ndërsa sezoni pranveror në BKT Superligën e Kosovës do të rinisë më 12 e 13 shkurt, ndërsa sipas rezultateve të arritura deri tani nga skuadra, mund të flitet vetëm për mbijetesë.