Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se letra e sekretarit të shtetit amerikan Antony Blinken është ftesë për një momentum të ri për Kosovën.
Këtë, Hoxhaj e ka thënë përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ku ka theksur se koha kur është dërguar kjo letër dhe me përmbajtjen e saj që kryesisht merret me temat e jashtme dhe dialogun Kosovë-Serbi, sipas tij, ka qëllim të qartë që dialogun ta fokusojë në njohje të ndërsjellë.
Gjithashtu, sipas Hoxhajt, lista e temave që janë përmendur në këtë letër të sekretarit Blinken, e bëjnë atë platëformë të politikës së jashtme amerikanë të vitit 2022.
“Në fillim të letrës të Sekretarit Blinken, tregohet agjenda e SHBA-së në raport me Kosovën dhe pritet që kjo të zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadorin Jeffrey Hovenier dhe të dërguarin e posaçëm Gabriel Escobar! Prandaj, duhet të merret shumë seriozisht!”, ka shkruar Hoxhaj.
Hoxhaj tutje thotë se kjo është një mundësi e re, e veçantë për Kosovën gjatë administratës së Presidentit Biden.
“Personalisht jam për shfrytëzimin e këtij momentumi – për të cilën partneri jonë kryesor strategjik SHBA është i vendosur të na mbështetë për ta përmbyllë shtetësinë tonë!”, ka përfunduar shkrimin e tij anëtari i PDK-së. /Gazeta Enigma/.