Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se ka zotuar 75 milionë euro për subvencionomin e energjisë për qytetarët dhe bizneset.
Përmes këtyre subvencioneve thuhet se synohet zbutja e rritjes së tarifës së energjisë elektrike.
“Duke marrë parasysh situatën e jashtëzakonshme dhe të paprecedentë në tregjet evropiane të energjisë elektrike që ka ndikuar edhe Kosovën, Qeveria e Republikës së Kosovës me kërkesë të Ministrisë së Ekonomisë është zotuar të subvencionojë qytetarët e bizneset e Kosovës, duke i mbrojtur kështu nga rritja e tarifave. Subvencionet paraqesin të ardhura për sektorin që nuk është e nevojshme të mbulohen nga tarifat e energjisë elektrike dhe rrjedhimisht, zbusin rritjen e tarifës së energjisë elektrike”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.
Sipas Ministrisë, subvencioni i energjisë elektrike nga ana e Qeverisë do të ndikojë që tarifa për konsumatorët biznesor mbetet me 0% rritje, tarifa për konsumatorët shtëpiak deri në konsumin prej 600 kWh mbetet me 0% rritje, ndërsa tarifa e propozuar nga ZRRE për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kWh të reduktohet, duke pasqyruar çmimin e importit për këta konsumatorë dhe promovuar efiçiencën e energjisë.
“Gjatë kësaj kohe të jashtëzakonshme, qëllimi primar i subvencionit të ndarë nga Qeveria e Kosovës është për të mbrojtur veçanërisht konsumatorët e ndjeshëm nga ndikimi i çmimeve më të larta të energjisë elektrike”, thuhet në komunikatën e Ministrisë./Gazeta “Enigma”/