Gjatë seancës të së enjtes, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka ironizuar me premtimet e dikurshme të kryeministrit Kurti duke i dhënë epitetin e shenjtërisë, veprim për të cilin kryeparlamentari Konjufca i ka ndërprerë fjalën.
“Me atë në qeverisje, viti do të jetë vit i ekonomisë, i zhvillimit, jo i rritjes së çmimeve kurrë asnjëherë, thoshte dikur në një kohë lideri shpirtëror, shenjtëria e tij Albin Kurti. Të nderuar qytetarë, gjendja në terren shifrat dhe faktet, dëshmojnë se…”, tha Musliu, ndërsa në këtë pikë e ndërpreu kryeparlamentari Konjufca duke i tërhequr vërejtjen se “Nuk ndalohen veç ofendimet në Kuvend, por edhe komplimentet e tepërta”.
Deputetja Musliu gjithashtu i kujtonte kryeministrit Albin Kurti për premtimet e tij se kur do të vinte në pushtet do ti ulte çmimet e produkteve bazike për t’iu lehtësuar jetën qytetarëve.
“Z. Kurti ka trumbetuar me të madhe se me marrjen e pushtetit nga ai, do të ulet çmimi i rrymës, do të ulet çmimi i ujit, do të ulet çmimi i derivateve, bukën do ta blejnë më lirë qytetarët, qumështi, vaji, vezët do të kenë çmim të lirë. Bile në atë kohë guxonte të caktonte edhe çmime të lira populiste edhe për produktet ushqimore që janë në treg”, tha ajo.
Musliu vazhdoi me kritikat, ndërsa mes tjerash, i tha kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së udhëhequr prej tij se “as nuk dini, as nuk ngoni”. /Gazeta Enigma/