Presidetnja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova.
Ne fjalimin e saj, Osmani tha se Rugova është arkitektet i pavarësisë së Kosovës.
“Sot është 16 vjetori i shkuarjes në amshim të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, ideatorit të pavarësisë, presidentit historik Ibrahim Rugova. Bëri gjithçka për shtetin tonë, ai punoi në një kohë të vështirë për të gjithë popullin e Kosovës, dhe arriti ta bëjë bashkë popullin e Kosovës. Ai arriti të ndërtojë miqësi aq të mëdha. Ne sot e gëzojmë shtetin tonë, por gëzojmë edhe miqësitë që i i ndërtoi presidenti Rugova”, deklaroi ajo.
Tutje, presidentja tha se kujtimi për Ibrahim Rugovën do të jetojë përgjithmonë në zemrat e qytetarëve.
Ndërsa, kryeministri, Albin Kurti para mediave pohoi se Rugova ka dhënë kontribut të çmuar në bashkimin e shqiptarëve kundër Serbisë okupatore.
“Presidenti Rugova është presidenti i parë i Kosovës, i zgjedhur me votë popullore. Presidenti i parë i Kosovës së çliruar. Dr.Ibrahim Rugova para se të ishte president ishte intelektual, njeri paqësor, humanist, dha kontribut të çmuar në bashkimin e shqiptarëve kundër Serbisë okupatore”, theksoi Kurti.
Ish presidenti Ibrahim Rugova kishte ndërruar jetë më 21 janar 2006, pas një sëmundje të rëndë. /Gazeta Enigma/.