Ish-kryeministri i Kosovës dhe njiherit ish-lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se përfaqësuesit e Bilfinger janë treguar të painteresuar për rindërtimin e “Kosova A”.
Sipas Mustafës, Bilfinger ka ofruar vetëm 15-20 faqe në PoëerPoint.
“Është e vërtetë se në takimin tim, si Kryeministër me Kancelaren Merkel, më 30 qershor 2015, ndër çështjet e rëndësishme shtroi edhe rindërtimin e Kosova A përmes firmës Bilfinger. Unë shpreha gatishmërinë e plotë ta zhvillojmë këtë projekt. Me angazhimin e Kancelares, të njëjtën ditë , në orët e mbrëmjes, kemi organizuar takim me përfaqësuesit e Bilfinger në Berlin”.
“Kemi kërkuar ta konkretizojnë propozimin e tyre, koston e investimit, kapacitetin dhe burimet e financimit. Përfaqësuesit e Belfinger u zotuan se do të na informojnë brenda 15 ditëve, por nuk na kanë informuar asnjëherë edhe përkundër insistimit të vazhdueshëm të kabinetit tim”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Ndër të tjera, Mustafa tha se kanë qenë të interesuar që projektin ta realizojnë me kompaninë Bilfinger, por, sipas Mustafës kompania ka qenë e painteresuar.
“Duke pasur parasysh lidhjet ekonomike me Gjermaninë dhe teknologjinë gjermane në gjenerimin e energjisë elektrikenë Kosovë, ne kemi qenë të interesuar që projektin ta realizojmë së bashku me ta, por kompania Bilfinger është treguar krejtësisht e painteresuar. Krahas kësaj ne kemi vazhduar me Kosovën e Re”, është shprehur tutje Mustafa. /Gazeta Enigma/.