Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka pranuar të deklarohet kur u pyet në lidhje me konkursin për kryeprokurorin e shtetit, duke potencuar se ekzekutivi dhe gjyqësori janë pushtete të ndara, raporton Gazeta “Enigma”.
Ai ka thënë se Qeveria nuk ndërhynë në shkeljet eventuale të ligjeve apo Kushtetutës.
“Është në vullnetin dhe interesin e atyre që kanë të drejtë të bëhen kryeprokuror të ardhshëm që të kandidojnë, e të fitojnë. Ne jemi shtet demokratik ku janë të ndara pushtetet, dhe rrjedhimisht në shkeljet eventuale të ligjit e të Kushtetutës në Kosovë nuk ndërhyn Qeveria e Republikës së Kosovës. Kjo është një detyrë që e zbaton prokuroria, gjyqësori dhe mekanizmat e tjerë zbatues”, ka thënë Kurti, kur u pyet nga gazetarët për këtë çështje.
Tutje ai ka folur edhe për propozimin e ZRRE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike.
“Zyra e Rregullatorit të Energjisë është institucion i pavarur shtetëror. Unë nuk e kam numrin e telefonit të kryesuesit të bordit mirëpo ministrat e kësaj fushe, shpresoj edhe nga Kuvendi i Republikës, se do t’i dërgojnë sa më parë komentet në mënyrë që bordi i ZRRE bazuar në raportin e vet t’i trajtoj edhe sugjerimet”, u shpreh Kurti. / Gazeta Enigma.