Dënohet me tre vite e tetë muaj burgim i akuzuari për terrorizëm

Dënohet me tre vite e tetë muaj burgim i akuzuari për terrorizëm

Dënohet me tre vite e tetë muaj burgim për pjesëmarrje në luftërat me ISIS i akuzuari për organizim dhe pjesëmarrja në grup terrorist.

Prokuroria Speciale e akuzonte, Kujtim Daçajn se ka shkuar në Siri dhe iu është bashkëngjitur luftërave të organizatës terroriste, militante, ekstremiste ISIS, si dhe ka marrë pjesë në mënyrë aktive si trajner i snajpersitëve të kësaj organizate.

Ndërsa, aktgjykimi u shpall të mërkurën, nga gjykatësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Valbona Musliu-Selimaj.

Sipas këtij aktgjykimi, të akuzuarit Daçaj në këtë dënim me burgim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

Po ashtu, gjykatësja Musliu-Selimaj ka thënë se i akuzuarit lirohet nga shpenzimet e procedurës penale për shkak të gjendjes së tij ekonomike.

Tutje, ajo ka shtuar se me shpalljen e këtij aktgjykimi, gjykata ka marrë për bazë edhe rrethanat për zbutjen e dënimit.

Paraprakisht, në seancën e shqyrtimit gjyqësor të mbajtur më 24 janar 2022, i akuzuari Daçaj kishte pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohej, derisa kuundër këtij vendimi, palët kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit brenda 15 ditësh.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 7 dhjetor 2021, i akuzuari Kujtim Daçaj, me dashje, së bashku me bashkëshorten e tij Valdete Tafaj dhe vajzën e tij, më 5 tetor 2014, përmes pikës kufitare Hani i Elezit ka dalë nga Kosova dhe ka shkuar në Maqedoni dhe nga aeroporti i Shkupit ka udhëtuar për në Turqi, pastaj për në Siri, ku iu është bashkëngjitur luftërave të organizatës terroriste, militante ekstremiste ISIS.

Ai gjithashtu ka marrë pjesë në mënyrë aktive si trajner i snajpersitëve të kësaj organizate terroriste, njofton betimiperdrejtesi. /Gazeta Enigma/.

Related Articles