Bislimi kërkon ndihmë nga Franca për liberalizimin e vizave

Bislimi kërkon ndihmë nga Franca për liberalizimin e vizave

Këshilli i Investitorëve Evropian se bashku me ambasadën franceze, kanë organizuar eventin e përbashkët, ku temë diskutimi kanë qenë planet e presidencës franceze për Ballkanin perëndimor, ku kryetarja e Bordit të drejtorëve të Këshillit të Investitorëve Evropian, Eriola Bibola, u shpreh e kënaqur me angazhimin e presidencës franceze karshi Kosovës.

Ajo tha se angazhimi i presidentit Macron për Ballkanin Perëndimor është i jashtëzakonshëm, teksa shtoi se ka interesim Franca për Kosovën dhe regjionin.

“Angazhimi i presidentit Macron për Ballkanin Perëndimor është i jashtëzakonshëm dhe tregon interesimin e këtij vendi për këtë regjion dhe Kosovën në përgjithësi. Si këshill e kemi mirëpritur planin e BE-së, që ka synim rritjen e kapitalit njerëzor, sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit”.

Ndërsa, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka quajtur të rëndësishëm vitin 2022, pasi sipas tij, pos krizës me pandeminë Kosova përballet edhe me krizën energjetike.

“Çdo vit është i rëndësishëm por 2022 do të jetë shumë i rëndësishëm.  Jemi duke e kaluar krizën e pandemisë, por në të njëjtën kohë kemi një krize tjetër energjetike. Jemi në dijeni për sfidat që vijnë nga ndryshimet klimatike në ekonomi. Jemi të hapur për iniciativat e presidencës franceze për te bashkëpunuar me Kosovën. Jemi të interesuar për investitorë francez. Kemi vërejtur një rritje të hovshme në eksportet e Kosovës, të cilat mund të eksportohen edhe në marketin francez”, ka Bislimi.

Bislimi ka thënë se synim i ekzekutivit është aplikimi për statusin e kandidatit dhe liberalizimin e vizave. Për këtë të fundit, ka kërkuar ndihmë nga Franca.

“Si qeveri, kemi procese të rëndësishme, si aplikimi për status të kandidatit dhe liberalizimin e vizave. Mendojmë se tani është momenti i duhur për t’i arritur këto. Duhet ta përçojmë sinjalin që si qeveri jemi të gatshëm ta menaxhojmë dhe të rikuperohemi nga pandemia. Një tjetër synim i joni është që të kalojmë nga monopolizmi në një market kompetitiv. Duhet t’i tregojmë BE-së që proceset janë duke ecur më shpejt se më parë, por edhe se ato varen nga shumë faktorë. Duhet të ketë bashkëpunim mes të gjitha ministrive, qeverisë, komisioneve, ambasadave në Kosovë, shoqërisë civile”, ka thënë Bislimi.

Ndërkaq, ambasadorja franceze për Kosovë, Marie-Christine Butel, ka thënë se programet e presidencës franceze dhe BE-së për Kosovën përfshijnë, përveç luftimit të korrupsionit dhe përmirësimit te sundimit të ligjit dhe luftimin e ndryshimit të klimës.

“Ballkani perëndimor ka një rëndësi të veçantë për presidencën franceze, në të njëjtën kohë edhe për Bashkimin Evropian. Programi ynë fokusohet në përmirësimin e sigurisë së Kosovës, rininë e saj, luftimin e korrupsionit. Programet e presidencës franceze dhe BE-së për Kosovën përfshijnë, përveç luftimit të korrupsionit dhe përmirësimit te sundimit të ligjit, edhe luftimin e ndryshimit të klimës. Kjo do të ishte e mundur përmes uljes së emetimeve të CO2 në bizneset kosovare”, ka thënë ajo.

Sipas ambasadores Butel, ky ndryshim do të kishte impakt në të gjitha sferat e jetës, jo vetëm në ekonomi.

“Prioriteti ynë është të kemi një Ballkan më të ‘gjelbër’. Shumë pjesë të programit janë të fokusuara në këtë aspekt. Kjo është një mundësi unike që Kosova ta zhvillojë ekonominë e saj dhe në të njëjtën kohë ta ruajë ambientin. Një proces shumë i rëndësishëm, qe do ta ndihmonte këtë iniciativë, është digjitalizimi. Sipas disa studimeve franceze, digjitalizimi na ndihmuar në uljen e emetimeve të CO2”, ka thënë ambasadorja Butel, teksa shtoi se hap tjetër i rëndësishëm për shtimin e investimeve në Kosovë është luftimi i korrupsionit, i cili sipas saj krijon një ambient më të sigurt për investitorë. /Gazeta Enigma/.

Related Articles