Deputeti i PDK’së, Hisen Berisha në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit i ka kërkuar kryeministrit, Albin Kurti të tregoj patriotizëm në paqe, pasi në luftë, sipas tij është dashur të shkoi tek ai në Koshare.
Derisa po diskutohet për pandeminë COVID-19, ai ka thënë se ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi duhet të operojë me duar të lira nga ekzekutivi.
“Kryeministri bënë mirë t’ia lejë duart e lira ministrit që të operojë në profesionalizimin e tij. Ta tregojë patriotizmin profesional tani në paqe, pasi në luftë është dashur të vije atje tek unë në Koshare. Mos ta sjellin para aktit të kryer siç kanë bërë me rastin e vendosjes së masave me të cilat u befasua edhe vet ministri”, tha ai.
Berisha kritikoi kryeministrin edhe për ashpërsimin e masave anti-COVID.
Sipas tij, Qeveria Kurti mund të bëhet qeveria e parë që rrëzohet për shkak të revoltës qytetare.
“Ajo çfarë mund të ndodh kryeministër është se mund të jetë qeveria e parë që rrëzohet për shkak të revoltave qytetare”, tha ai.
Krahas këtyre, deputeti Berisha tha se zhvillimi i demokracisë nuk është meritë e qeverisë Kurti, por e gjithë qytetarëve dhe tranzicionit të pushtetit./Gazeta Enigma/