Zëdhënësi për media në Lëvizjen Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka komentuar pjesëmarrjen e deputetëve të opozitës në seancën e jashtëzakonshme të së enjtes, shkruan Gazeta Enigma.
Manxhuka, përmes një statusi në Facebook ka thënë se deputetët e opozitës nuk ishin në sallën e Kuvendit, edhe pse kishin thirrur seancë të jashtëzakonshme.
“PDK, LDK e AAK kanë thirrur debat për gjendjen me pandeminë. Teksa ende po mbahet kjo seancë e thirrur nga këta opozitarë, pothuajse askush nga ta nuk është në sallë”.
Tutje ai ka shkruar se “Kaq për sinqeritetin dhe seriozitetin e thirrjes së kësaj seance. Kaq ka interesim për ta për këtë temë”.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur të enjten seancë të jashtëzakonshme, por nuk i ka miratuar rekomandimet e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK për rishqyrtim të masave kufizuese për pandeminë COVID.
Kundër këtyre rekomandimeve u shprehën 41 deputetë, ndërsa pro vetëm 22.
Në përfundim të seancës së jashtëzakonshme për pandeminë, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, paraqiti gjashtë rekomandime para deputetëve për miratim.
“Në emër të tri grupeve opozitare ne paraqesim një rezolutë e cila përkufizohet: Qeveria me urgjencë të rishqyrtojë masat kufizuese pas konsultimit me ekspertët shëndetësor dhe nivelin lokal të ketë masa konform situatës pandemike. Të hartojë në kohë vendosjen në kohë të masave kufizuese, larg masave që merren në panik dhe që prodhojnë vetëm situatë paniku. Qeveria të prezantojë planin para Kuvendit për vaksinimin për vitin 2022. Qeveria të sigurojë vaksina masive mobile në shkolla, institucione publike dhe private me qëllim të gjurmimit dhe monitorimi të rasteve me COVID″.
Të njëjtat i quajti të papranueshme, ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila.
“Ky debat synohet të devijohet me rezolutë që përbënë çdo gjë. Në rezolutën e propozuar kërkohet që të sillet ligji i pagave që më herët është refuzuar në një seancë të Kuvendit. GP i LVV një rezolutë që përbënë tema që nuk lidhen për çka është thirrur seanca nuk mund t’i mbështesë dhe do të votojmë kundër saj”, tha ajo./Gazeta Enigma/