Ambasdori gjerman: “Non-paper” i publikuar rreth njohjes Kosovë-Serbi, është lajm i rremë

Ambasdori gjerman: “Non-paper” i publikuar rreth njohjes Kosovë-Serbi, është lajm i rremë

Një dokument që thuhet të jetë një “non-paper”, ka ardhur në redaksinë e Gazetës “KOHA”, dokument ky i përgaditur nga Gjermania dhe Franca, si nismë e përbashkët e këtyre dy shteteve për rifillimin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje finale.

Megjithatë, ‘Koha Ditore’ pasi nuk ka arritur të konfirmojë autenticitetin e këtij dokumenti, atëherë ka kontaktuar me disa diplomatë, të cilët thanë se disa nga pikat që përmendën në të janë në përputhje me ato që pritet të diskutohen në dialog.

Në këtë letër thuhet se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të lehtësojë procesin që do të çojë tek nënshkrimi i marrëveshjes ligjërisht obliguese mes të dyja palëve, me qëllim të zgjidhjes së të gjitha çështjeve të hapura në mënyrë që të përparohet në rrugëtimin evropian dhe të krijohen mundësi të reja për përmirësimin e jetës së njerëzve.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke përfaqësuar Beogradin, dhe kryeministri Albin Kurti, duke përfaqësuar Prishtinën, do të udhëheqin diskutimet për finalizimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes palëve. Procesi do të duhej të përmbyllej para fundit të shkurtit të vitit 2022”, thuhet në këtë dokument.

Sa i përket asaj se çka duhet të përfshijë marrëveshja në këtë dokument, propozohet që secila palë, sipas ligjit ndërkombëtar, do të respektojë sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e palës tjetër.

“Palët konfirmojnë se do të kryejnë rregullimin e kufijve të tyre dhe demarkacionin vetëm përmes marrëveshjes së përbashkët, se do të zgjidhin mospajtimet me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimet apo përdorimi i dhunës në përputhje me frymën evropiane të zgjidhjes së mospajtimeve përmes dialogut. BE-ja në emër të të dyja palëve do të duhej të angazhonte një trup të pavarur për caktimin e vijës kufitare mes palëve. Palët do të duhej të pajtoheshin edhe për vendosjen e një “distrikti autonom të Kosovës veriore si një ‘njësi e veçante administrative e vetëqeverisjes rajonale në Kosovë, e cila do të kishte të drejtë të rregullonte legjislacionin në bazë rajonale në fushat e ekonomisë, financave, pronësisë së infrastrukturës, kulturës, arsimit, kujdesit shëndetësor, mbrojtjes sociale, gjyqësorit, shërbimit policor, zhvillimit urban dhe bashkëpunimit evropian, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin për qeverisjen lokale”, thuhet në këtë dokument.

Sipas këtij plani, vërtetësia e të cilit nuk ka mundur të konfirmohet nga gazeta, “Distrikti autonom i Kosovës veriore” do të përfshinte territorin e qyteteve Zveçanin me 35 fshatra, Leposaviqin me 72 fshatra, Mitrovicën e veriut, dhe zonën kadastrale të qytetit të Zubin-Potokut me 63 fshatra”

Dokumenti propozon edhe një status të veçantë për kishat ortodokse serbe në Kosovë për të siguruar atë që quhet “veprimtari e papenguar” e tyre. Zonat e mbrojtura do të duhej të përfshinin më shumë se 40 kisha dhe objekte kulturore. Kisha Ortodokse në Kosovë, si pjesë esenciale e Kishës Ortodokse Serbe, në përputhje me ndryshimet kushtetuese, do të duhej të udhëhiqej nga patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, i cili do të duhej të kishte selinë në Patriarkanën e Pejës. Gjithashtu, palët do të vendosnin edhe një zonë ekonomike në Mitrovicë si një katalizator për zhvillim ekonomik në të dyja anët e kufirit dhe në përputhje me konceptin e rajoneve evropiane.

Mirëpo, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, këtë dokument të publikuar nga kjo gazetë e quan lajm të rremë, duke theksuar se mund të ketë dokument por se nuk është francezo-gjerman.

“E ashtuquajtura “non paper” francezo-gjermane e publikuar nga ‘Koha Ditore’ është lajm i rremë. Mund të ketë dokument, por sigurisht që nuk është francezo-gjerman. Ne e përkrahim plotësisht dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe Miroslav Lajcak, siç e theksoi përsëri ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Maas, të enjten e kaluar në Prishtinë”, ka shkruar Rohde nw Twitter.”

Related Articles