Donjeta Miftari, këshilltare e presidentes Osmani i ka reaguar deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, e cila në seancën e së enjtes të Kuvendit tha se presidentja po heshtë teksa qytetarët po përballen me kriza.
Miftari përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, i është kundërpërgjigjur deputetes, duke thënë se presidentja i di shumë mirë obligimet e saj kushtetuese, se cilat janë përgjegjësitë e saj, e cilat jo.
“Presidentja e Republikës së Kosovës i di shumë mirë obligimet e saj kushtetuese, se cilat janë përgjegjësitë e saj, e cilat jo”.
Mes tjerash, Miftari thotë se Osmani ka siguruar edhe donacion prej gjysmë milioni vaksina nga SHBA-ja.
“Ashtu si pjesa më e madhe e botës, Republika e Kosovës është përballur me sfida që lidhen me pandeminë, për të cilat është angazhuar personalisht presidentja. Ky angazhim, ndër të tjera, ka rezultuar me sigurimin e donacionit prej mbi 500,000 vaksinave nga SHBA-ja dhe mijëra vaksina të tjera nga partnerë të tjerë. Me këtë temë, nga vaksinimi, e deri te vetëdijesimi, presidentja merret në baza ditore dhe këto bëhen transparente për publikun nëpërmjet komunikatave për medie”, u shpreh ajo.
Sipas Miftarit, Osmani, si udhëheqëse e politikës së jashtme, angazhohet për mbështetje më të madhe të partnerëve në ballafaqimin me pandeminë, por edhe për sektorin e shëndetësisë në përgjithësi.
“Së fundi, presidentja e ka diskutuar temën e pandemisë në koordinim me partnerët edhe sot, në takim me ambasadorin amerikan si dhe me ambasadorin e OSBE-së. Ajo vazhdimisht i bën të qarta kërkesat dhe qëndrimet e saj edhe në Komitetin për vlerësimin e situatës me pandeminë”, deklaroi këshilltarja.
Po ashtu Miftari hodhi akuza ndaj Deliu-Kodrës se bashkë me PDK-në kanë bojkotuar seancën e Kuvendit, në të cilën Osmani kishte raportuar, pikërisht për pandeminë.
Postimi i plotë:
Ndryshe, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës Blerta Deliu, në fjalimin e saj para deputetëve në Kuvend, kishte bërë edhe një thirrje për presidenten e vendit, Vjosa Osmani.Thirrja e Deliut për Osmanin ishte që të deklarohet për zhvillimet e fundit në vend.
Ajo kishte deklaruar se qytetarët kanë nevojë të dëgjojnë një deklarim nga presidentja.
“Ka një kohë të gjatë që zonja osmani nuk është deklaruar në lidhje me gjendjen, në të cilën janë qytetarët e Kosovës, në lidhje me shëndetin publik, shtrenjtimin e çmimeve, me paralajmërime për rritjen e çmimit të rrymës”, ishte shpreh ajo.
Deliu ka bërë thirrje presidentes Osmani që të mos heshtë, siç tha ajo, sikurse tash e një kohë të gjatë.
“Për shkak të pozitës së saj kushtetuese, por edhe si nënë e grua, i bëj thirrje që të deklarohet për zhvillimet e fundit në Kosovë, ashtu siç ka folur edhe për zhvillimet në Ukrainë, e të mos heshtë si tash e një kohë të gjatë”.
“Ka pasur një mori problemesh që i kemi parë, thjeshtë kërkova nga e para e vendit që të deklarohet për gjendjen në të cilën është vendi. Njerëzisht pres që zonja Osmani që të deklarohet për gjendjen e rëndë në të cilën sot ndodhet Kosova. Po flasim për një emergjencë kombëtare dhe qytetarëve iu duhet një deklarim i saj, ishte shprehur Deliu.
Tutje, deputetja e PDK-së kishte folur edhe për gjendjen pandemike në Kosovë, duke thënë se gjendja e klinikave në nivel vendi është e rëndë dhe se nuk ka investime e as menaxhim në to./Gazeta Enigma/