Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë për Gazetën Enigma se javën e ardhshme do të zgjidhet trajneri i ri i Kombëtares së Kosovës.
“Ne kemi bërë oferta për grupin final të trajnerëve, ata ende janë duke i shqyrtuar dhe analizuar ofertat. Presim që javën e ardhshme do të deklarohen dhe pas shqyrtimin të kërkesave nga komisioni i caktuar, ai i cili i përmbush kërkesat tona dhe shohim që është i duhuri do ta ftojmë për nënshkrimin e kontratës”, tha Ademi.
Sipas Ademit, nëse asnjë nga emrat e lartcekur si plotëson kriteret, “do të fillojmë të flasim edhe me emrat që i kemi si grupi të dytë”.
Ai e ka mohuar që janë vonuar për përzgjedhjen e trajnerit të dardanëve.
“Nuk jemi vonë siç po komentohet sepse të gjithë këta trajner pothuajse një muaj i kanë listat e lojtarëve dhe i din kualitetet e tyre dhe e kanë nga një CD të ndeshjeve tona të luajtura në kualifikuesen e botërorit”, shtoi Ademi.
Kosova është pa trajner që prej se e FFK-ja e shkarkoi zviceranin Bernard Challandes në tetor të vitit të kaluar.
Trajneri zviceran kishte marrëveshje me Kosovën deri në dhjetor 2022, por epokës së tij në krye të kombëtares dardane i erdhi fundi një vit më herët, pas një fushate tejet dëshpëruese në kualifikime për Kupën e Botës 2022.
Në 28 ndeshje zyrtare me Kosovën, Challandes i arriti 9 fitore, 7 barazime dhe 12 humbje.
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të luajë një miqësore të madhe në muajin mars. “Dardanët” do të përballen me Zvicrën më 29 mars. /Gazeta Enigma/