Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se shteti i Kosovës nuk do të pranoj asnjëherë modele që mund ta shndërronin vendin tonë në shtet jofunksional.
Presidentja bëri të ditur se sot rreth orës 16:00 do të takoj emisarin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe të dërguarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Osmani theksoi se për propozimet për të cilat po flitet në opinion lidhur me shtyrjen përpara të Asociacionit të komunave me shumicë serbe asnjëherë nuk u janë prezantuar.
“Do ti takoj sot ata rreth orës 16:00, dua ti sqaroj se propozimet për të cilat po flitet asnjëherë nuk i janë prezantuar palës tonë, pra institucioneve të Kosovës. Problemi i madh është se kanë qenë përfaqësuesit e Kosovës ata që kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme të cilat Asociacionit të komunave serbe i kanë dhënë kompetenca ekzekutive. Duhet ta themi një realitet sepse është e zeza në të bardhën, është letër e nënshkruar nga ish kryeministra të Kosovës dhe përgjegjësia duhet të merret si e tillë”, tha Osmani.
Ajo shtoi se këto tendenca që pastaj përgjegjësia të gjuhet te komuniteti ndërkombëtar nuk i bëjnë nder Kosovës.
“Si përfaqësues të Republikës të Kosovës ne jemi të vendosur që të mos lejojmë të implementohen në vendin tonë modele të cilat do ta bënin shtetin tonë jofunksional. Keni dëgjuar ambasadorin e SHBA-ve dhe z.Escobar që në fakt kërkesa e tij është që të mos implementohen modele që veriun e Kosovës do ta shndërronin në një republika srpska të re, pra nuk kërkohen kompetenca ekzekutive.Qëndrimet tona sa i përket Asociacionit kanë qenë të qarta dhe nuk janë befasi për askënd”, tha Osmani.
Ndryshe, Osmani së bashku me kryeministrin Kurti kanë vendosur lule të shtatoret e e heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha dhe Ilir Konushevci. /Gazeta Enigma/.