Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar pas takimit me përfaqësuesin Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në komunikatën e lëshuar për media, thuhet se në takim është diskutuar për qëndrimet e partisë së tij karshi procesit të dialogut të Kosovës me Serbinë.
Abdixhiku ka deklaruar se finalja duhet të përfshijë njohjen reciproke në kufijtë aktual të Republikës së Kosovës dhe të jetë në përputhje me Kushtetutën e vendit.
“Kryetari Abdixhiku i njoftoi për qëndrimet e LDK-së karshi situatës politike, me theks të veçantë për procesin e dialogut, me ç’rast i bëri të ditur edhe njëherë që LDK-ja mbështet procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve – duke respektuar integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues te Kosovës”.
“LDK mbetet partnere kredibile e SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian në proceset e rëndësishme të vendit”, thuhet në komunikatë. /Gazeta Enigma/.