Dështon gjykimi ndaj 20 policëve të veriut, të cilët po akuzohen për korrupsion e kontrabandë me mallra

Dështon gjykimi ndaj 20 policëve të veriut, të cilët po akuzohen për korrupsion e kontrabandë me mallra

Për shkak të gjendjes shëndetësore të të akuzuarit Zoran Radunoviq, është anuluar seanca ndaj 20 policëve të veriut, të cilët po akuzohen për korrupsion e kontrabandë me mallra.

Njoftimi për anulimin e seancës është bërë nga zyra e gjykatëses Shadije Gërguri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 25 mars 2022.

Në këtë rast po akuzohen: Zvezdan Spasojeviq, Biljana Nedeljkoviq, Abdurrahim Haxhiq, Albert Maxhuni, Milija Milunoviq, Oliver Kuzmanoviq, Ramadan Mustafiq, Dejan Spasojeviq, Dragosh Kompiroviq, Jasna Durleviq, Zenel Bahtiri, Ali Pllana, Zoran Radunoviq, Reshat Kuci, Vukadin Tomasheviq, Blagica Tomoviq, Ljubisa Vujinoviq, Burim Merovci, Blagoje Lazoviq dhe Nebojsa Gogiq.

Bashkë me 20 policët e veriut akuzoheshin edhe Bozhidar Milosavljeviq dhe Krsto Subotiq, por ndaj të njëjtëve gjykata ka pushuar procedurën penale, për shkak se kishin ndërruar jetë.

Po ashtu bashkë me 20 policët e veriut në këtë rast për kontrabandim me mallra janë të akuzuar edhe Izet Jashari, Jeton Morina, Milazim Januzi, Nezir Bilalli, Nysret Jashari, Sabri Isufi, Xhevdet Jashari, Arben Isufi, Bajram Uka, Besnik Morina dhe Faton Isufi, mirëpo rasti ndaj tyre ishte veçuar.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës me 16 qershor 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj 33 personave për dyshimin se kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje ryshfeti”, “kontrabandë me mallra”, “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Zvezdan Spasojeviq në cilësinë e komandantit të stacionit, Biljana Nedekjkoviq në cilësinë e udhëheqëses së ndërrimit dhe të akuzuarit Milija Milunoviq, Albert Maxhuni dhe Abdurahim Haxhiq në cilësinë e policëve patrollues në kuadër të ndrrimit “A”, të SPMK në Zubin Potok, nga viti 2017 e deri në maj 2019, në bashkëkryerje me të akuzuarin Dejan Vukashinoviq i cili ndodhet në arrati, me dashje kishin shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar.

Në aktakuzë thuhet se kishin lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshme si: kafshë, derivate, pije alkoolike, joalkoolike dhe mallra ushqimore nga Serbia në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas, nëpërmjet rrugëve ilegale, derisa kishin qenë në detyrë zyrtarë duke mbikëqyrur rrugët kufitare.

Sipas PSRK-së, të njëjtit iu kishin mundësuar përfitim pasuror të kundërligjshëm të akuzuarve Dragoslav Igrutinoviq, Boban Radojkoviq, Dalibor Djukiq, Miljan Radisavljeviq, Miljojko Radisavljeviq, Zoran Vukomanoviq dhe persona të tjerë si transportues të mallrave, duke iu shmangur kontrollit doganor me rastin e importimit të mallrave, me ç’rast i kishin shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, sipas PSRK-së këta 5 të akuzuar kishin marrë-pranuar shuma të ndryshme të parave, për të vepruar në kundërshtim me detyrën e tyre zyrtare dhe atë për çdo automjet nga 20 deri në 100 euro, apo 150 euro, e që një pjesë të këtyre parave e kishin marrë për vete, ndërsa pjesën tjetër ua kishin ndarë policëve të ndërrimit.

Për të njëjtat veprime po akuzohen edhe Oliver Kuzmanoviq në cilësinë e udhëheqësit të ndërrimit, Ramadan Mustafiq, Dejan Spasojeviq, Dragosh Kompiroviq, Jasna Durleviq, Zenel Bahtiri, Bozhidar Milosavljeviq dhe Ali Pllana, në cilësinë e policëve patrollues në kuadër të ndërrimit “B”, të SRMK, në Zubin Potok dhe të akuzuarit Zoran Radunoviq në cilësinë e udhëheqësit të ndërrimit si dhe të akuzuarit Krsto Subotiq, Reshat Kuqi, Vukadin Tomasheviq, Blagica Tomaviq, Ljubisa Vujinoviq, Burim Merovci dhe Blagoje Lazoviq në cilësinë e policëve patrollues në kuadër të nderrimit “C”.

Për këto veprime, PSRK, në vazhdim dhe bashkëkryerje po i ngarkon me veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrja e ryshfetit”, për të cilat veprime dhe me të njëjtat vepra penale po ngarkohet edhe udhëheqësi i ndërrimit “D”, Nebojsha Gogiq. / Gazeta Enigma.

Related Articles