Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë pasi ditën e enjte, nënkryetari i Listës serbe, Milan Radojçiq ka arritur të arratiset nga pika kufitare me Serbinë, në Bërnjak.
Në njoftim thuhet se personi në fjalë ka ikur me veturë në drejtim të Serbisë dhe se dokumentet e tij kanë mbetur tek zyrtarët policorë.
“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre zyrtarëve policorë (një kapiteni, një rreshteri dhe një zyrtari policor – që të gjithë punonjës në në pikë kalimin kufitar në “Bërnjak” në Drejtorin Rajonale Kufitare “Veriu”)”, thuhet në njoftim.
Tutje, përmës një njoftimi thuhet se mbrëmë ishte njoftuar nga Policia e Kosovës rreth një incidenti i cili kishte ndodhur në pikë kalimin kufitar në “Bërnjak” në Drejtorinë Rajonale Kufitare Veriu, ku gjatë procedurave të kalimit kufitar në hyrje ishte paraqitur një i dyshuar (me inicialet M.R) dhe i njëjti kishte rezultuar si person i kërkuar.
“Personi i kërkuar dyshohet se ka vozitur veturën e tij mbrapa dhe është kthyer prapë në drejtim të Serbisë, ndërsa dokumentet e tij kishin mbetur tek zyrtarët policorë të pikë kalimit kufitar”, thuhet në reagim.
Tutje, në njoftim thuhet se, hetuesit e IPK-së në konsultim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj kanë filluar një procedurë hetimore ndaj tre zyrtarëve policorë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka konfirmuar se Milan Radojiçiq është arratisur dje nga pika kufitare me Serbinë, në Bërnjak.
“Një i dyshuar mashkull/Serb (në hyrje në Kosovë), gjersa zyrtarët policor ishin duke e verifikuar, i njëjti me veturë është larguar mbrapa në drejtim të Serbisë. Bazuar në verifikimin e kryer i dyshuari është i kërkuar në bazë të urdhër arrestit të lëshuar nga gjykata”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Radojiçiq ishte shpallur në kërkim për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. I njëjti pas një kohe ishte fshirë nga lista e kërkimit me vendim të prokurorit që po e hetonte çështjen.
Pas një kohe Prokuroria Speciale sërish e ka vendosur në listën e personave të kërkuar. /Gazeta Enigma/.