Të martën në Kosovë do të arrijë një kontingjent prej 500 mijë dozave të vaksinave, raporton Gazeta “Enigma”.
Se këto doza të kompanisë Pfizer do ti dhurohen Kosovës, e ka konfirmuar Drin Podrimqaku, këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi.
“Po të martën do të arrijnë 515,970 doza të vaksinës Pfizer”, ka thënë Podrimqaku, duke njoftuar se këto vaksina janë donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Autoritetet shëndetësore në Kosovë në gusht të vitit 2021 kishin pranuar 35 mijë doza të vaksinës kundër COVID-19, pjesë e donacionit të SHBA-ve për Kosovën.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte thënë se këto doza e sjellin 20 për qind më afër arritjes së qëllimit të Kosovës për vaksinimin.
“Sot SHBA dhuroi kontingjentin e parë nga 500,000 doza Pfizer për Kosovën, duke e sjellë atë 20 për qind më afër arritjes së qëllimit të saj të vaksinimit. E dhënë përmes COVAX, kjo dhuratë përfaqëson vlerat e përbashkëta dhe lidhjet e palëkundura midis njerëzve tanë. Së bashku mund ta mposhtim COVID-19”, kishte shkruar Blinken, shkruan Telegrafi.
Kujtojmë se mars të vitit të kaluar, presidentja e Kosovë, Vjosa Osmani i ishte drejtuar presidentit amerikan Joe Biden me kërkesën që ta ndihmojë Kosovën në sigurimin e vaksinave.
Më shumë se 1.7 milion doza të vaksinës kundër COVID-19 janë dhënë që nga fillimi i vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë. / Gazeta Enigma.