Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndihmuar disa qytetarë që ishin bllokuar nga bora në fshatin Kurillovë të Vushtrrisë, shkruan Gazeta Enigma.
Sipas komunikatës, rreth orës 03:00 pas mesnate të datës 8 shkurt, Policia kishte pranuar një informacion se qytetarët ishin bllokuar në borë.
“Një angazhim i tillë i zyrtarëve policorë është dëshmuar edhe gjatë natës së kaluar në Vushtrri, ku rreth orës 03:00, të datës 8 shkurt 2022, policia kishte pranuar një informacion se pesë persona me veturën tyre kanë mbetur të bllokuar nga bora në rrugën e fshatit Kurillovë të Vushtrrisë”, ka njoftuar policia.
Policia ka bërë të ditur se zona ku ishin ngujuar qytetarët është zonë malore.
“Njësitet policore, menjëherë janë nisur në drejtim të fshatit Kurillovë që gjendet në një zonë malore dhe një largësi të konsiderueshme nga qyteti i Vushtrrisë. Për shkak të kushteve atmosferike dhe reshjeve të vazhdueshme të borës, gjatë rrugës kanë hasur vështirësi për t’ qarkulluar më tutje”, ka bërë të ditur policia.
Për të arritur deri te lokacioni ku ndodhej vetura dhe personat, Policia ka kërkuar ndihmë nga kompania për mirëmbajtjen e rrugëve.
“Për të arritur në lokacionin ku ndodhej vetura dhe personat, policia ka ftuar kompaninë për mirëmbajtjen rrugëve që të hapë rrugën, më pas policia kanë arritur t’i gjejnë personat të cilëve u ka ndihmuar të kthehen në qytetin e Vushtrrisë”, ka njoftuar policia./GazetaEnigma/